Shkodranët barazojnë me Apoloninë. Kastrioti mund Tomorin e zero pikëve
Altin Manallari
Fitorja e një jave më parë krijoi iluzionin se Vllaznia po rikthehej, por aty ku tri pikët ishin llogaritur si të sigurta në letër, shkodranët kanë bërë një hap fals, duke barazuar 1-1 në shtëpi me Apoloninë. Kukësi më në fund ka thyer tabunë e barazimeve dhe ka marrë 3 pikët e para në debutimin historik në Kategorinë Superiore. Ndërsa Kastrioti bën detyrën duke mundur Tomorin, ai vazhdon të mbetet në kuotën e zero pikëve.
Një gol i shpejtë i Vllaznisë në “Loro Boriçi” i ka bërë të gjithë të mendojnë se gjithçka do të ishte e lehtë për vendasit ndaj Apolonisë. Që në minutën e tretë, rumuni Dragoi ka arritur të konkretizojë me sukses një aksion të të tijve nga e majta, duke shënuar në portën e Miços. Por fierakët nuk e lëshojnë veten dhe besojnë te goli i barazimit, i cili ka ardhur vetëm në minutën e 20 me anë të Ribajt, pas një hezitimi dhe mosmarrëveshjeje mes mbrojtjes kuqeblu dhe portierit Vujadinoviç. Vllaznia rrezikoi të pësonte edhe golin e dytë në minutën e 27. Më pas loja është përqendruar në mesfushë, por nuk kanë munguar rastet në portat respektive. Deliç është frymëzuesi i shkodranëve, por mbrojtja mike është e pakalueshme edhe falë disa faulleve të parregullta. Pjesa e dytë është thuajse e njëjtë me të parën. Të dyja palët mundohen shumë të bëjnë diçka në mesfushë, por pa dalë dot para portave respektive në mënyrë të qartë. Krahët e mesfushës kuqeblu nuk funksionojnë, ndaj Vllaznia është e frustruar tërë kohës, nuk arrin të kalojë vendosjen taktike të fierakëve që, nga ana e tyre, nisin t’i bëjnë llogaritë së pari për të mbrojtur barazimin, me shpresën se me anë të kundërsulmit mund ta ndëshkojnë sërish Vllazninë, që është në kërkim të golit të epërsisë. Përpjekjet e vendasve janë më të shumta në kërkim të golit të avantazhit, por djemtë e trajnerit Shpëtim Duro janë të pasaktë para portës. Minutat kalojnë dhe Vllaznia mbërthehet nga paniku, duke rrezikuar të pësojë. Për fat të mirë edhe miqtë fierake kanë probleme me shënjestrën. Barazimi 1-1 mund të konsiderohet një bllok për Vllazninë, e cila e shikon veten gjithnjë e më larg luftës për titull. Më në fund Kukësi e arriti fitoren e parë në Superligë, ndërsa u detyrua të priste për plot 4 javë. Skuadra veriore mundi 1-0 Bylisin në fushën e saj dhe mori një trepikësh të rëndësishëm pas 3 barazimeve radhazi. Për skuadrën debutuese gjithçka u vendos nga një gol me kokë i shënuar prej Popoviç në nisje të pjesës së dytë, ndërsa përballja në stadiumin e Kukësit nuk është se pati shumë cilësi. Vendasit patën më shumë epërsi, sidomos derisa gjetën golin, por iu afruan shumë pak portës mike, duke rrezikuar me ndonjë gjuajtje nga distanca e largët ose e mesme. Kjo fitore është e rëndësishme, sepse e ngjit ekipin kuksian në kuotën e 7 pikëve, në një pozicion shumë të mirë në tabelë. Në Krujë, gjithashtu fituan vendasit dhe me të njëjtin rezultat, 1-0. Kastrioti mundi Tomorin e Beratit, ndërsa goli u shënua në pjesën e parë. Autor i kësaj rrjete ishte Fataki dhe më tej nuk ndryshoi gjë. Edhe Kastrioti ngjitet në kuotën e 7 pikëve pas 4 javëve, po aq sa Kukësi, ndërsa Tomori mbetet i shkëputur në fund të tabelës së renditjes me 0 pikë.
SUPERIORE (Java IV)
Besa-Teuta 1-0
Berisha 64’
TË SHTUNËN
Luftëtari-Tirana 0-1
Çota 14′
Flamurtari-Shkumbini 1-1
Memelli 49′ (pen) / Gjata 80′
DJE
Kastrioti-Tomori 1-0
Fataki 35′
Kukësi-Bylis 1-0
Popoviç 49′
Vllaznia-Apolonia 1-1
Dragoi / Ribaj 27′
SOT
19:00 Skënderbeu-Laçi
Klasifikimi
Skuadra N P
1. Tirana 4 10
2. Skënderbeu 3 7
3. Laçi 3 7
4. Besa 4 7
5. Kastrioti 4 7
6. Kukësi 4 6
7. Flamurtari 4 5
8. Vllaznia 4 5
9. Luftëtari 4 4
10. Teuta 4 4
11. Shkumbini 4 4
12. Bylis Ballsh 4 2
13. Apolonia 4 3
14. Tomori 4 0