Rekomandimet për zëvendësime? U bënë në rastin kur nuk zotëronin arsimin përkatës 


Lorina Mixha


Largimet e mësuesve në një pjesë të mirë të rasteve janë realizuar duke mos respektuar ligjin dhe duke mos firmosur një vendim për secilin largim. Ndërkohë që rekomandimet për mësues të tjerë që kanë shkëputur marrëdhëniet me institucionin, për shkak të profilit, arsimimit në degën ku japin mësim.


Të gjitha këto përfundime janë dhënë nga ekspertët e inspektimeve në shkollat e të gjithë vendit, punonjës të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, IKAP.


Në raportin e fundit të vitit 2011, ata sqarojnë se janë vërejtur largime të mësuesve pa respektuar legjislacionin në fuqi. Por jo vetëm kaq. Zëvendësimet, për shkak të profilit, ndodhin si në rastin e mësuesve, të cilët japin lëndën e informatikës në shkolla, rezultonin të mos kishin arsimin përkatës, të kishin përfudnuar studimet e larta për informatikë. Studentët, të cilët kanë përfunduar studimet e larta për informatikë, për shkak të pagesave të majme që marrin në programime dhe shërbime në sektorë të tjerë privatë, thuajse e kanë të pamundur të punësohen me një rrogë mësuesi.


“DAR/ZA-të kanë hartuar listat e pritjes së mësuesve. Dokumentet e emërimit dhe largimit nga puna të punonjësve të DAR/ZA-ve ka raste që janë bërë pa iu referuar bazës ligjore përkatëse dhe pa vendim të veçantë për secilin punonjës”, thuhet në raportin e IKAP. Po ashtu, këta ekspertë kanë rekomanduar edhe zëvendësimin e mësuesve dhe drejtuesve pa arsim përkatës, bazuar në Udhëzimin Nr. 22, datë 29.07.2010 “Për emërimet e personelit mësimor dhe drejtues në arsimin parauniversitar”.


Nga inspektimet e kryera, rezulton se në disa shkolla private mësuesit janë njësoj si pedagogët, ata punojnë si të jashtëm dhe jo si staf i brendshëm.


“Në disa shkolla mungojnë dosjet e mësuesve, në të tjera mungon stafi i brendshëm dhe mësuesit japin mësim si të jashtëm”, citon raporti.


 


Vëzhgimi


 


Ora e mësimit është tradicionale


Sipas inspektorëve të IKAP, mësuesit nuk përdorin teknika mësimore të ndryshme për t’u dhënë mundësinë nxënësve të punojnë në grupe. Ora mësimore në përgjithësi është tradicionale dhe i mungon demonstrimi. Nga rezultatet e shumicës së minitesteve të zhvilluara, kjo rezulton në 80% të rasteve, gjë që dëshmon për efektivitet të ulët të mësuesve në orën e mësimit. Mësuesit/et vlerësojnë nxënësit me fjalë. Ata përdorin vetëm fjalë të etikës dhe inkurajuese për të nxitur nxënësit.


 


Mësimdhënia


Arsimtarët: prioritet sasinë jo cilësinë


Raporti i Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar vlerëson se mësuesit duhet të bëjnë përpjekjet e duhura profesionale për të përdorur teknika që mbështetin përvetësimin e njohurive/koncepteve të planifikuara për orën mësimore, si dhe të jenë më kërkues në rastet e paqartësive. Duket sikur kanë prioritet të punës së tyre realizimin sasiorë dhe jo atë cilësorë. Kjo bën që nxënësit të mos i përvetësojnë njohuritë aq sa duhet. Rezultatet e minitesteve e tregojnë më së miri këtë problem.