Tragjedia në Blinisht
Kushëriri i kryetarit të Komunës vret tre anëtarë të një familjeje
Policia tha se ngjarja erdhi pas një sherri të momentit, por banorët tregojnë për një konflikt të vjetër
Autori i krimit është identifikuar me emrin Kastriot Zhuba, i cili ishte kthyer tri ditë më parë nga Italia
Ardian Bushi
Tragjedia ka tronditur Lezhën në orët e mbrëmjes, kur tre anëtarë të një familjeje janë ekzekutuar me plumba automatiku nga fqinji i tyre pas një sherri të momentit, që mendohet se zanafillën e ka shumë vite më parë. Ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, i cili mendohet se është kushëri i kryetarit të Komunës së Blinishtit është larguar menjëherë nga vendi i krimit dhe është shpallur në kërkim nga policia lokale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Blinisht, banorët e të cilit janë tronditur për herë të dytë brenda tri javësh, pasi në fillim të këtij muaji u vra një adoleshent dhe u plagos një tjetër.
Ngjarja tragjike ndodhi dje rreth orës 21.10, ndërkohë që menjëherë pas krimit, Policia e Lezhës ka mbërrutur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet. Në një kohë të shkurtër është bërë i mundur identifikimi i autorit të krimit, i cili dyshohet se është Kastriot Zhuba, 38 vjeç, kushëri i kryetarit të komunës së kësaj zone. Burime zyrtare të Policisë së Lezhës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur pranë oborrit të banesës së familjes Shtjefni.
Nga të dhënat policore, mësohet se dy palët kanë qenë me makina, kur kanë debatuar mes tyre dhe Zhuba ka nxjerrë armën, që mendohet automatik, duke qëlluar ndaj familjes. Nga breshëria ka lënë të vdekur në vend fillimisht Rrok Shtjefnin, 54 vjeç, e më pas djalin e tij, Fatjonin 24-vjeçar. Megjithatë, autori i krimit nuk e ka ndaluar breshërinë edhe ndaj bashkëshortes së Rrokut dhe nënës së Fatjonit, Mira Shtjefnit, 55 vjeçe, e cila ka vdekur rrugës për në spital. Sipas dëshmive në vendin e ngjarjes, që janë mbledhur nga grupi hetimor i Policisë së Lezhës, mësohet se Mira Shtjefni është vrarë në momentin që ajo po përpiqej t’i jepte ndihmën e parë bashkëshortit dhe djalit të saj. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, autori i krimit, për të cilin nuk ka detaje nëse ka qenë vetëm, apo i shoqëruar me persona të tjerë, është larguar me shpejtësi, në drejtim të Shkodrës. Nga dëshmitë e mbledhura prej policisë, ka rezultuar paraprakisht se në një moment para vrasjes së tre pjesëtarëve të familjes Shtjefni, në vendngjarje ka pasur një debat mes tyre dhe fqinjit Zhuba.
Drejtori i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, tha se “ngjarja tragjike që përfundoi me vrasjen e tre pjesëtarëve të familjes Shtjefni ka qenë një konflikt i momentit”. Por, nga ana tjetër, banorët e zonës janë shprehur se autori i dyshuar i krimit, i cili është identifikuar, është banor i fshatit Blinisht, por nuk është fqinj i tre viktimave. Më tej, kreu i policisë lokale tha se janë ngritur shumë postblloqe për kapjen e tij, ku është kërkuar edhe ndihma e Policisë së Shkodrës, pasi në drejtim të qytetit verior mendohet se është larguar autori. “Autori i krimit ka qenë i dënuar më parë në vendet e Perëndimit për ngjarje kriminale”, deklaroi Muharrem Furriku gjatë një prononcimi për mediat. Burimet e policisë shtuan se autori mendohet se ka qenë në gjendje të pirë, megjithëse mes dy familjeve dyshohet se ka pasur edhe një konflikt të vjetër, rreth dhjetë vite më parë, por që nuk bëhen të qarta motivet e tij. Ndërsa në orët e vona të natës, Policia e Lezhës tha se Zhuba kishte vetëm tri ditë që ishte kthyer nga Italia, ku ka emigruar prej disa kohësh, ndërkohë që gruan me dy fëmijët, i kishte në Shqipëri.
Ekzekutimi
Viktimat
Dy palët kanë qenë me makina, kur kanë debatuar mes tyre dhe Zhuba ka nxjerrë armën, duke vrarë Rrok Shtjefnin, 54 vjeç, djalin e tij, Fatjonin 24-vjeçar dhe bashkëshorten e Rrokut Mira Shtjefnin, 55 vjeçe
