Korçë


Ish-shefi i Komisariatit të Korçës, Nikolin Thana, i arrestuar nga SHKB-ja është lënë në “arrest shtëpie” për shkak të shëndetit të tij. Bashkë me të, Gjykata e Korçës ka lënë me të njëjtën masë sigurie edhe tre personat e tjerë, të akuzuar për të njëjtën vepër penale. Gjykata vendosi dje që Nikolin Thana, Arben Hansallari, polic i Komunës së Voskopjës, Jetnor Hysenllari, banor i Voskopojës dhe Hysni Myrtollari, banor në Porodinë, të mbahen me “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve. Të katërt këta persona akuzohen se në bashkëpunim i kanë marrë para një biznesmeni skrapi. Prokuroria e Korçës ka kërkuar për tre të ndaluarit “arrest me burg” për veprën penale të mitëmarrjes, por gjykata ka vendosur zbutjen e masës ndaj tyre. Masa për shefin e komisariatit u vendos në ambientet e spitalit të Korçës, ku dhe është shtruar për shkak të një goditjeje në zemër, menjëherë pasi u arrestua. Gjendja e tij jo e mirë ka bërë që autoritetet spitalore vendore, të përgatisin Thanën për shtrim në Spitalin Ushtarak. Të katër personat u arrestuan disa ditë me parë si rezultat i një operacioni të përbashkët të SHKB-së dhe Task-Forcës në Prokurorinë e Korçës. G. A.