Andis Harasani do të dorëzojë mandatin e deputetit. Pas deklaratës së kryesocialistit Edi Rama në mbledhjen e grupit kuvendor për largimin nga grupi parlamentar i PS-së së Harasanit, ky i fundit ka sqaruar arsyet e largimit në disa rrjete sociale. Në deklaratën e shpërndarë nga vetë Harasani ai thotë se:


“Pas plot 7 vjetësh si deputet i Partisë Socialiste dhe përfaqësues i votuesve të qarkut të Tiranës, kam vendosur të dorëzoj mandatin e deputetit për arsye tërësisht personale. Dëshiroj të siguroj të gjithë votuesit e mi, si dhe të gjithë anëtarësinë e Partisë Socialiste se pavarësisht shkëputjes nga aktiviteti parlamentar, do të vazhdoj të mbështes dhe të punoj për të siguruar fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.


Më tej ai ka falënderuar publikisht Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për mbështetjen që i ka dhënë dhe bashkëpunimin që kanë pasur gjatë gjithë këtyre viteve.


“Unë jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptaret do të votojnë masivisht Partinë Socialiste, për të pasur më shumë punësim, shkolla e spitale më të mira, për të pasur një sistem të ndershëm taksimi e për tu shkëputur përfundimisht nga kultura e pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Duke i uruar Kryetarit Edi Rama dhe kolegëve të tjerë socialistë punë të mbarë dhe suksese në këtë fazë finale të betejës tonë të përbashkët për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një Rilindje të Re, dëshiroj të shpreh edhe njëherë gatishmërinë time për të kontribuar në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme”, përfundon deklarata e Harasanit.


Pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga Andis Harasani, pritet që vendin e tij ta zërë Auron Tare, i cili është renditur i 16 në listën shumëemërore të kandidatëve për deputet të hartuar nga PS për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009.


25 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)