Në gusht, më shtrenjtë ëmbëlsirat bulmeti, vezët. Rrushi dhe kumbullat kushtuan më pak
Në muajin gusht çmimet e ushqimeve bazike janë rritur. Bëhet fjalë për produktet që përdorim çdo ditë për të përgatitur vaktet në tryezat tona. Një pjesë e zarzavateve dhe frutave janë tregtuar më shtrenjtë pavarësisht se konsiderohen të sezonit dhe duhet të shiteshin më lirë. Por jo vetëm, edhe bulmeti, çmimi i naftës dhe benzinës është rritur shoqëruar edhe me çmimet e qiradhënies. Vezët, bulmeti dhe ëmbëlsirat kanë kushtuar më shtrenjtë në muajin gusht se në muajin korrik.
Indeksi i çmimeve të konsumit, ushqimeve, pijeve, veshjeve, frutave, zarzavateve, bulmetit, naftës, benzinës, qiradhënies është publikuar dje nga Instituti i Statistikës. Në raportin e publikuar dje nga INSTAT rezulton se çmimet janë më të larta se një muaj më parë, por më të ulëta se një vit më parë. “Krahasuar me muajin e mëparshëm: Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 0.8 %. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 3.7 % vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të bishtajave me 12.5 %, kastravecëve me 11.3 %, domateve me 3.8%, specave me 2.1 %”, raporton INSTAT.
Rezulton se indeksi i nëngrupit “fruta” shënoi një rritje prej 1.1%, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të kivit me 16.9, limonëve me 15.4 %, portokajve me 10.0%, dardhëve me 4.2%.
Indeksi i grupit “Qira, ujë lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 0.1%. Brenda këtij grupi çmimi i lëndëve djegëse shënoi një rritje prej 0.2%. Indeksi i grupit “Transporti” ka shënuar një rritje prej 0.6%. Gjatë muajit gusht, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.6 % dhe çmimi i benzinës një rritje prej 1.6%. Çmimet kanë shënuar rritje edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku përmendet rritje në nëngrupin “fruta” me 1.1 %, nëngrupin “qumësht, djathë e vezë me 1.4%, “sheqer e ëmbëlsira” me 0.4%. Sipas raportit të INSTAT në gusht shalqiri, rrushi, kumbullat u tregtuan me çmim më të lirë se një muaj më parë. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 0.8%. “Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të veshjeve për gra me 1.7%, veshjeve për fëmijë me 1.6%, këpucëve për gra me 0.6%”. Lorina Mixha
Rritjet
Çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.6% dhe çmimi i benzinës një rritje prej 1.6%
Ndryshimi vjetor në muajin gusht është 2.8%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.1%
Indeksi i grupit “Argëtim dhe kulturë” ka shënuar një rritje sidomos për shërbimet