Marrëveshja – Në vitin 2005, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ranë dakord të ndanin pushtetin në nivel qendror e lokal


Përqindja – Sipas marrëveshjes së firmosur nga Berisha dhe Meta, LSI-ja do të kishte 20 për qind të posteve në administratë në të gjithë vendin


Bashkitë – Kjo marrëveshje është vendosur edhe në bashki e komuna, ku dy forcat politike kanë garuar së bashku në zgjedhjet vendore të 2011-s


Problemet – Kjo skemë ndarjeje ka hapur probleme në të dy krahët, pasi ka pasur pakënaqësi si nga ana e militantëve të PD-së ashtu dhe nga ata të LSI-së


Fier


Furtunë në institucionet që kontrollon partia e Metës


“Strategjia e Metës ka si synim sigurimin e sa më shumë votave dhe rritjen e numrit të deputetëve në Parlament, me qëllim diktimin e qeverisjes së ardhshme”


EDMOND HOXHAJ


Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur të vërë në zbatim një taktikë të re që parashikon rritjen e numrit të votave në favor të saj gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, duke synuar daljen në fushatë e vetme. Që prej fillimit të shtatorit të kësaj vjeshte, në institucionet qendrore dhe vendore që drejtohen nga LSI, ka nisur një spastrim i gjithë atyre punonjësve, që mbajnë teserën e Partisë Demokratike, duke prishur kështu në heshtje paktin bashkëpunues trevjeçar. Mjaft punonjës dhe specialistë të emëruar në drejtoritë rajonale pas ardhjes në pushtet të PD-së, shtatë vite me parë, tashmë po kthehen në të papunë, nga aleatja e tyre kryesore e këtij mandati të dytë, LSI-ja. Kjo, pasi në mjaft institucione në qarqe të ndryshme të vendit që drejtohen prej LSI-së, ka nisur pushimi nga puna pa ndonjë motivacion konkret të demokratëve. Ndërkaq, ka nisur rekrutimi i të gjithë militantëve të LSI-së, të cilët kanë zënë këto vende pune të kthyera qëllimisht në vakante. Por, demokratët dhe krerët e partisë ku ata aderojnë, duket se janë ndier të pafuqishëm për ta kundërshtuar këtë lëvizje të fundit të lidershipit të LSI-së, ish zv.kryeministrit Ilir Meta.


Strategjia e LSI-së. Nga burime të sigurta pranë LSI-së është mësuar se kjo strategji ka si synim sigurimin e sa më shumë votave në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, në favor të kësaj force politike. Sipas burimeve, nisma është ndërmarrë nga krerët e LSI-së, të cilët i kanë urdhëruar të emëruarit e tyre në rrethe e qarqe që të mbështesin dhe të punësojë doemos militantët e kësaj partie. Në janar të këtij viti pritet që në të gjitha institucionet e drejtuara nga LSI, të mos ketë më asnjë demokrat të punësuar. Kjo do t’i siguronte LSI-së më shumë vota dhe shpresën për më shumë deputetë në Parlament, duke i dhënë mundësinë që të dilte në fushatë e pavarur, pa qenë pjesë e asnjë prej koalicioneve. Mësohet se krerët e LSI-së parashikojnë dhe shpresojnë se, duke pasur një numër më të madh deputetësh në parlament, se ai aktual, mund të kushtëzojnë dy partitë e mëdha, që të jenë këto të fundit negociatore për koalicion me të. Kështu, sipas kësaj strategjie, LSI synon të jetë ajo që do të vendosë se kush nga partitë e mëdha do të qeverisë vendin, ose të jetë faktor kryesor në qeverisjen e ardhshme, me qëllim diktimin e kushteve. Këtë herë duket se LSI do të pretendojë një pjesë më të madhe nga “torta” e pushtetit.


Pafuqia e Berishës


Kjo strategji e LSI-së për të forcuar pozitat e saj, ka nisur të krijojë koston e saj, por mbi supet e Partisë Demokratike, brenda radhëve të së cilës po rriten pakënaqësitë dhe pasiguria. Edhe pse përditë janë duke u pushuar nga puna dhjetëra demokratë në gjithë vendin, të cilët po zëvendësohen nga militantë të LSI-së, Partia Demokratike nuk ka mbajtur ende asnjë qëndrim. Madje mësohet se edhe të pushuarit nga puna nuk kanë kërkuar arsyet, duke qenë në dijeni të kësaj lëvizjeje të LSI-së dhe duke pranuar kështu në heshtje diktatin e aleatit të vogël qeverisës. Nga burime të PD-së, mësohet se shkak i kësaj heshtjeje e pafuqie të Berishës për të reaguar ndaj nismës së Metës, është frika e prishjes së koalicionit aktual, çka do ta rrëzonte qeverinë e do krijonte nevojën e krijimit të një qeverie teknike. Duket se Kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i druhet mjaft një fundi të tillë dhe ka zgjedhur përuljen e heshtjen para Metës, duke i lëshuar pe në të gjitha institucionet që drejton LSI. Sipas burimeve brenda PD-së, vajtja në zgjedhje me një qeveri teknike do të ishte një vetëvrasje për PD-në, pasi nuk do të kishin mundësi të mbështesnin elektoratin që u ka mbetur. Duke qenë në dijeni të kësaj frike të Berishës, Meta ndërkohë po shfrytëzon gjithë mundësitë që po i jepen për të fuqizuar partinë e tij, me synim diktimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.