Kundërshtimi


Foto ilustruese


Policia ka tentuar t’i sekuestrojë motorin një të riu, por është përballur me goditjen e një familjeje të tërë. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në Tiranë, kur pas shenjës së ndalimit një motori, ky i fundit nuk ka ndaluar. Në ndjekje të tij deri në shtëpi, policia është përballur me kundërshtimin, goditjen madje dhe thyerjen e xhamave të automjetit të policisë nga një familjeje e tërë. Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, janë arrestuar Taip Mata, 54 vjeç, bashkëshortja e tij, Safije Mata, 44 vjeçe, djali i tij, Çlirimi 23-vjeçar si dhe ndiqen penalisht në gjendje të lirë dy djemtë e tjerë, Krenar Mata, 28 vjeç dhe Xhaferr Mata, 23 vjeç. “Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë, pasi në rrugën ‘Jordan Misja’, nga një postbllok i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit nr. 3, i është bërë shenjë ndalimi një motori tip ‘Jamaha’, ngjyrë kuqe, pa targa. Drejtuesi i motorit nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe nuk ka ndaluar, kështu që është ndjekur nga patrulla. Pas ndalimit, shtetasit e sipërpërmendur kanë kundërshtuar dhe goditur, punonjësit e policisë dhe kanë dëmtuar mjetin e policisë, ku i kanë thyer të gjithë xhamat”, bën të ditur policia.