Partia Socialiste ka vijuar me denoncimin e fakteve të reja, mbi atë që ajo e quan “skandal me reklamat shtetërore”. Deputeti socialist Eduart Shalsi gjatë një daljeje publike nga selia rozë, akuzoi qeverinë se ka përdorur para të pista për fushatë elektorale duke pasqyruar edhe shifrën përkatëse, e cila në total kap shifrën prej 14 mln $.
“Ndërsa këto tabela tregojnë një trafik të pastër nëpërmjet të cilit paratë publike janë përdorur për fushata elektorale kundër opozitës, për të mbajtur me para klientët mediatik të Sali Berishës. Kjo është një tabelë që tregon shpenzimet e qeverisë për reklamat në vitit 2009-2011 plot 9 mln euro vetëm në këto vite elektorale. Ndërkohë në tabelën tjetër tregohet shifra totale të aktiviteteve mediatike që shkojnë në total 14 mln dollarë. Kjo është një pasqyrë tregon qartë sesi “Promo”, ka gllabëruar llokmën e luanit në këto financime”,- shtoi Shalsi.
Deputeti socialist, theksoi se për një media të lirë, transparente dhe të pavarur shpërndarja e reklamave duhet të bëhet në mënyrë të drejtë. Shalsi deklaroi se çdo fakt i publikuar mban firmat përkatëse nga përgjegjësit në Ministritë e qeverisë Berisha, të akuzuar nga opozita për shpërdorim me fondet publike. “Çdo fakt apo shifër që kemi publikuar deri tani ka qenë i mbështetur mbi dokumente zyrtare të firmosura. Për Ministrinë e Integrimit nga Sekretari i përgjithshëm, ashtu si dhe për të Ministrinë e Mbrojtjes, për Bujqësinë nga Genc Ruli, për Ministrinë e Brendshme nga Sekretari i Përgjithshëm, për Ministrinë e Arsimit nga Myqerem Tafaj dhe për ministrinë e Transportit nga Sokol Olldashi”, deklaroi Shalsi.
25 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)