Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit e hap sezonin me premierën e dy veprave hungareze në datën 28 shtator, ora 19:00. Një diptik që përfshin pjesë të panjohura, si vepra e Ferenc Erkel, e cila nuk shkëputet krejtësisht nga atmosfera historike, pasi titullohet “Huniadi Lazlo”, që është djali i Janosh Huniadit, personazhit historik, bashkëkohësit të Skënderbeut. Ndërsa pjesa e dytë i përket një prej veprave më domethënëse të muzikës hungareze dhe asaj botërore. Është baleti “Mandarini i mrekullueshëm” i kompozitorit Bela Bartok. “Huniadi Lazlo”, opera në katër akte me muzikë të Ferenc Erkel dhe libret të Beni Egressy (prezantimi i parë më 1844-n) është konsideruar opera e parë e rëndësishme hungareze. Prezantimi i parë ishte një sukses i jashtëzakonshëm, veçanërisht për përmbajtjen politike të saj; rrethanat e vdekjes së Lazlo-s, roli intrigant i Gara-s, dobësia e mbretit, nuk mund të mos i referoheshin situatës së para revolucionit. Ardita Meni dhe Gergely Boncser do të jenë solistët e operës që do të shoqërohen nga interpretimi i Korit dhe Orkestrës Simfonike të TOB-it, nën dirigjimin e Dritan Lumshit. Baleti “Mandarin i Mrekullueshëm”, është frymëzuar nga një artikull i publikuar më 1 janar 1917 në revistën “Nyugat” nga Menyhert Lengyel nën titullin “Pantonimë groteske”. Historia ngjalli interesin e Bela Bartok dhe ky i fundit vendosi të kompozojë muzikën shoqëruese për një vënie skenike të saj. Në vënien e parë, baleti u konsiderua skandaloz për elementet e shumta realistë dhe u censurua. Me rastin e 50-vjetorit të lindjes së Bartok, 25 mars 1931, u tentua përsëri që vepra të ekzekutohej. Historia e “Mandarini i mrekullueshëm” është shtypur në versionin integral, në përkthime bazuar në origjinalin hungarisht, saktësisht si te publikimi i revistës “Nyugat” më 1 janar 1917. Pasazhet e aksionit të ruajtura shkurtimisht nga Bartok në partiturë nuk janë veçse një kornizë dhe shërbejnë para së gjithash koordinimit mes muzikës dhe asaj që ndodh në skenë. Baleti do të vijë me koreografi të David-Miklos Kerenyi, solistët Enada Hoxha, Odeta Dishnica, Gerd Vaso, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Fatjon Lito etj., dhe dirigjimin e Imre Kollar.