Dosja “Xhakja”


Gjithashtu, për penalizim pritet të dërgohen sekretarja dhe kancelarja


Zbardhet raporti i KLD-së për tre gjyqtarët e Durrësit, të cilët shpallën të pafajshëm Ilir Xhaken, ku sipas inspektorëve janë vërtetuar disa shkelje. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, i ka dorëzuar raportin ministrit të Drejtësisë, ku vihen në dukje tre momente flagrante për shkeljet e kryera nga treshja e gjyqtarëve, ndërkohë që po verifikohet edhe pozicioni i sekretares dhe kancelares së kësaj gjykate. Bashkë me raportin e inspektimit, të realizuar nga tre specialistë të KLD-së, Cefa ka nënshkruar një relacion në të cilin shpjegohen arsyet se pse ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku, Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura të fillohet procedim disiplinor. KLD deklaroi dje zyrtarisht se strukturat e saj verifikuan ankesën publike, të bërë nga media, mbi veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Durrësit, në shqyrtimin e akuzave penale në ngarkim të të dyshuarit, si autor i aktit të rëndë kriminal më datën 13 shtator 2012, Ilir Xhakja.


Raporti


Sipas të dhënave nga KLD-ja, nga verifikimi janë konstatuar parregullsi, të cilat në përputhje me nenin 32 të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përbëjnë shkak për procedim disiplinor të gjyqtarëve. Për këtë arsye, zëvendëskryetari i përcolli ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, dokumentacionin përkatës dhe relacionin, për vazhdimin e procedurave ligjore, lidhur me procedimin disiplinor. Sipas të dhënave nga raporti i inspektimit dalin qartazi tri shkelje vendimtare që gjyqtari Neritan Tabaku, por edhe dy kolegët e tij kanë bërë gjatë gjykimit të çështjes “Xhake”, i akuzuar nga Prokuroria e Durrësit për veprën penale të “vrasjes me paramendim” të shtetasit Qerim Maloku. Raporti nënvizon se shkelja flagrante, që bie ndesh me legjislacionin për “Organizimin dhe funksionimin e Gjykatave të Shkallës së Parë”, është ajo e moszbardhjes së vendimit penal në kohën e duhur që parashikon ligji në fuqi. Në raport thuhet se “zbardhja e vendimit duhet të ishte kryer brenda një afati 15-ditor, siç dhe parashikohet me ligj”. “Edhe nëse ndonjëri nga gjyqtarët e çështjes mund të kishte pasur probleme shëndetësore apo të ketë qenë jashtë shtetit, sërish nuk ka asnjë justifikim ligjor, pasi për këtë rast duhet të ndërmerreshin masa nga ana e sekretarisë gjyqësore, por edhe nga kancelari i gjykatës, në mënyrë që çështja të mos denigrohej dhe të favorizohej i pandehuri Ilir Xhakja”, thuhet në raportin e inspektimit. Veç kësaj shkelje, inspektorët kanë hyrë edhe më në brendësi të dosjes gjyqësore, ku kanë parë praktikën e ndjekur nga gjyqtari Neritan Tabaku, Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, lidhur me vlerësimin e provave shkencore nga ana e tyre. Raporti evidenton se gjatë dhënies së vendimit, gjyqtarët nuk i kanë bërë një vlerësim siç duhet të provave shkencore që ishin në dosje. Inspektorët argumentojnë se në këtë rast nuk është marrë parasysh ekspertiza daktiloskopike që krahasonte gjurmët e gishtave të Xhakes, si dhe ekspertiza balistike, që nxirrte të njëjtën armë në krimin e ndodhur në vitin 1998 në Katund Sukth. Të dyja këto prova, por edhe disa deklarime të dëshmitarëve që lidheshin me dy provat shkencore, janë rrëzuar nga treshja e gjyqtarëve, që gjykuan dhe liruan Ilir Xhaken. Më tej, në raport nënvizohet edhe një faktor tjetër, që ka ndikuar tek inspektorët e KLD-së për t’iu drejtuar ministrit me një kërkesë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj tyre. Ky faktor i tretë është, efekti që ka dhënë moszbardhja e vendimit, që në këtë rast është pezullimi i gjykimit të çështjes për një vit e gjysmë në Gjykatën e Apelit. Kjo, sipas raportit, ka sjellë një gjykim të padrejtë mes palëve, pasi nga njëra anë është favorizuar i pandehuri dhe bllokuar nga ana tjetër pala e prokurorisë, por edhe Gjykata e Apelit, e cila nuk mund të shprehej rreth kësaj çështjeje. Ble. Gi.


 


“Xhakja”


Çdo veprim i kryer nga Kontrolli i Brendshëm është cilësuar i paligjshëm nga togat e zeza


Gjykata hedh poshtë SHKB-në, por mban në “burg pa afat” dy policët


Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar “arrest me burg” për dy policët shoqërues të shefit të Komisariatit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, megjithëse arrestimi nga SHKB-ja është cilësuar në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, masa e sigurisë për dy oficerët e policisë, që ishin me Tahirajn ditën kur ai u ekzekutua nga Ilir Xhake ka vënë në dukje përplasjen për kompetencat mes Prokurorisë dhe Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për urdhër-ndalimet, të cilat ishin vënë në dukje edhe një ditë më parë.


Në masën e sigurisë ndaj dy ish-efektivëve Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi se ndalimi i tyre, i kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, është i paligjshëm. Për pasojë, edhe gjyqtari Luan Hasneziri pranoi gjatë masës së sigurisë ndaj Hoxhës dhe Gosturanit se ndalimi i tyre është i paligjshëm, e megjithatë, sipas kërkesës së dy prokurorëve Eugen Beci dhe Njazi Seferi vendosi masën “arrest me burg” për të dy, ku njëri akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe tjetri për “kallëzim të rremë”.


Çështja e ndalimit të paligjshëm nga SHKB do të thotë se çdo veprim i kryer nga autoritetet, çdo deklaratë e dhënë nga efektivët gjatë hetimeve për ngjarjen e 13 shtatorit, ku mbeti i vrarë kryekomisari Adem Tahiraj do të konsiderohet e pavlefshme. Sipas prokurorisë, nuk ishte kompetencë e SHKB-së të ndalonte dy efektivët e Shijakut, Gosturani dhe Hoxha, por ky veprim duhej të bëhej vetëm nëse e kërkonte organi i akuzës dhe jo me iniciativë të institucionit tjetër, pasi nuk ndodhemi në kushtet e flagrancës dhe as të dyshimeve se dy të akuzuarit mund të largoheshin jashtë vendit.


Prokuroria pretendon se SHKB i ka kryer këto veprime pikërisht në ditën që akuza iu drejtua gjykatës dhe kur kjo e fundit e pranoi kërkesën e prokurorisë, që sipas organit të akuzës, ka sjellë hetime paralele në këtë çështje. Prokuroria tha se kjo përbën edhe tejkalim të kompetencave të SHKB-së. Të gjitha këto qëndrime janë kryer në fakt gjatë procesit me dyer të mbyllura ndaj dy ish-efektivëve, për të cilët, edhe vetë prokuroria pati më herët një moskoordinim nëse duhet t’i hetonte Prokuroria e Durrësit apo ajo e Krimeve të Rënda. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rindërtuar skenën e krimit, ku humbi jetën 49-vjeçari Adem Tahiraj. Sipas burimeve, Xhakja, i vetëm para tre punonjësve të policisë, që detyrimisht duhet të kishin armë në brez, i ka sfiduar. Ka shkuar tek automjeti tip “Audi” dhe ka parë që në vendin e shoferit nuk ishte nipi i tij, Ledion Krasnaj, por Fatmir Hoxha. Tepër i irrituar dhe pa kurrfarë frike, ai e ka qëlluar me pëllëmbë, duke e nxjerrë për një çast jashtë automjetit, ndërsa ka vijuar me sharje dhe fyerje në drejtim të punonjësve të policisë. Ai ka pretenduar se me këtë person ka pasur një mosmarrëveshje. I vetmi që ka reaguar ka qenë pikërisht viktima, Adem Tahiraj, i cili i është drejtuar me fjalët se “kush je ti”, ndërkohë që Gosturani nuk ka kryer asnjë veprim. Si përgjigje, Tahiraj ka marrë një ofendim dhe më pas pesë plumba, të cilat e kanë prekur në organet jetësore, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.