Debate në Komisionin e Ekonomisë, opozita ngre pikëpyetje


ARD KOLA


Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është duke i dhënë truall afro 87 mijë metra katrorë një kompanie private, për qëllime të ndërtimit të një kampusi në zonën e Kamzës, pikërisht në minierën e qymyrgurit të Valiasit. Trualli shtetëror do të jepet në përdorim me afat deri në 99 vjet dhe me çmim simbolik “1 euro”, kurse plani i investimit arrin 40 milionë dollarë brenda tre viteve. Shoqëria “The Amerikan International School System-Albania (AISS)”, ka lidhje me SHBA-në, ose më saktë me z. Munr Kazmir, shtetas pakistanez, por që jeton në Amerikë për më shumë se 25 vjet dhe ka ndërtuar atje një sërë organizmash shëndetësore për qëllime humanitare. Problemi qëndron te fondet, nëse ekzistojnë dhe çfarë serioziteti përmban shoqëria në sektorin e arsimit në vend. Ministria e Ekonomisë thotë se shkolla që do të ngrihet në Kamzë ka eksperiencë dhe do të jetë degë e një kampusi universitar në Pakistan. Kompania do të administrohet nga Sokol Bejleri, ish-drejtori i “Albpetrol” në fillim të viteve ’90, dhe ish-deputet i PD-së, që më pas iku në SHBA në mars të 1997.


Dhënia në përdorim e truallit ka ngjallur debate të ashpra mes deputetëve të Komisionit të Ekonomisë. Zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, ka sqaruar të drejtën që ka kjo ministri për të dhënë tokën në përdorim dhe kushtet e kontratës me kompaninë që investon. “Akti normativ e njeh Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës si përfaqësuese të pronarit shtetëror dhe i jep asaj të drejtën në gjykimin e saj, që për interesa të larta shtetërore, publike të japë në përdorim pronën shtetërore subjekteve të huaja apo vendase në përputhje të dispozitave të Kodit Civil të Republikës. Shoqëria duhet të tregojë qartësisht, sipas biznes-planit dhe dokumenteve të tjera që janë anekse dhe i bashkëngjiten kontratës, se ka kryer një investim total 40 milionë dollarë amerikanë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë kontrata mund të prishet dhe ka të gjithë të drejtën Ministria e Ekonomisë të kërkojë prishjen e kontratës”, deklaroi Bozdo.


Por deputetët e opozitës shprehën dyshime, për shkak të disa mospërputhjeve mes aktit të qeverisë dhe çfarë deklaron kompania e themeluar nga pakistanezi Kazmir. Projekti synon arsimim sipas sistemit amerikan, kur në vendin tonë aplikohet sistemi i Bolonjës, tjetër pikëpyetje e opozitës. “A i keni bërë mirë llogaritë se çfarë do të realizohet me këtë marrëveshje, pasi praktikat e deritashme, kontratat koncesionare dhe çmimet simbolike prej 1 euro nuk kanë sjellë asgjë për vendin, por vetëm favore. Duhet ta shikojmë me kujdes”, u shpreh deputeti i PS-së, Arben Malaj. “Çfarë garancish financiare keni ju që një kompani, e cila figuron e regjistruar në QKR me vetëm 100 mijë lekë kapital, do të arrijë të investojë 40 milionë dollarë”, deklaroi deputeti Erjon Braçe në komision. Anëtarët e PS-së, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë shprehën rezerva për biznesplanin, i shkruar me shumë gabime gramatikore dhe aspak e denjë për një shoqëri private që kërkon të ngrejë një kampus universitar. Pyetjet e opozitës ishin të shumta, të tipit: A ka rezerva qymyri në minierën e Valiasit, pse mungojnë numrat në kartën e identitetit, me çfarë baze kompania deklaron se do të punësojë 1 mijë punonjës, ku do të hapen degët e tjera në vend, pse do të jepen 200 bursa dhe me çfarë kostosh etj., etj., por kryetari i komisionit, demokrati Edmond Spaho, ndërhyri disa herë, duke shkaktuar debate të kota.


Të majtët refuzuan të japin votën, ndërsa mazhoranca miratoi me shumicë votash projektligjin “Për ratifikimin e kontratës për dhënien në përdorim, në formën e huapërdorjes, me çmim 1 euro, të një pjese të truallit të ndërmarrjes së qymyrit Valias, me sipërfaqe të përgjithshme 87.587 m2, lidhur me Ministrinë e Ekonomisë dhe Shoqërisë “The Amerikan International School System-Albania (AISS)”.