Politikani që fitoi në 2005 në bastionin e PD: Ika për çështje personale


Fatjona Fejdini


Partia Socialiste mbetet sërish për një kohë me një deputet mangët në Kuvend, sa të kryhet rokada ndërmjet Andis Harasanit dhe Auron Tares, në listën e Qarkut të Tiranës. Harasani, në mënyrë të papritur pas 7 vjet karrierë si parlamentar i opozitës dorëzoi dje për arsye personale mandatin e deputetit, duke ia lënë vendin kandidatit të PS-së në listën e Tiranës, Auron Tares. Dorëheqja e deputetit të PS-së, prej dy mandatesh erdhi në mënyrë të papritur dhe si pasojë e çështjeve personale dhe jo të lidhura me politikën. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte vetëm dhënësi i lajmit në mesditën e djeshme, gjatë mbledhjes së grupit, ku theksoi se Harasani do të vijonte ta mbështeste PS-në me të gjitha mundësitë që do të kishte. Në plotësim të Edi Ramës, Harasani deklaroi dje për “Top Channel” se ai për momentin do të qëndronte larg politikës së ditës dhe do të vijonte të kryente disa projekte të tijat personale. Por largimi i Harasanit do të bëjë që PS të qëndrojë për një kohë relativisht të gjatë, me një deputet më pak. Kjo për shkak të faktit se vendi prej pak ditësh nuk ka një Komision Qendror të Zgjedhjeve në detyrë dhe se konstituimi i këtij institucioni pritet të zgjasë të paktën disa javë. Nga ana tjetër, i kontaktuar nga gazeta “Shqip”, Auron Tare nuk donte të bënte komente në lidhje me detyrën e re që pritet të marrë.


Largimi


Në një intervistë për “Top Channel”, Harasani tregon se ai kishte lajmëruar fillimisht kryetarin e partisë, Edi Rama, për dorëzimin e mandatit të PS-së dhe se kishte gjetur mirëkuptimin e tij të plotë në lidhje me arsyet e largimit nga grupi socialist. “Për momentin ishte një njoftim surprizë i kryetarit të partisë, pasi askush nuk e dinte. Ndoqa rrugën zyrtare duke lajmëruar të parin kryetarin e partisë dhe mbas mbledhjes së grupit të gjithë kolegët më uruan mbarësi. Ishte një ndarje mes miqsh dhe shpresoj se nuk është një ndarje përfundimtare është një ndarje nga një detyrë dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, deklaroi Harasani, duke e lënë të hapur mundësinë e rikthimit në politikën aktive. Po për momentin ai theksoi se do u dedikohej, planeve personale të cilat ishin dhe arsyeja e lënies së mandatit si deputet. I njohur si nga deputetët socialistë e preferuar të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, Harasani theksoi se ai nuk kishte asnjë plan për të qenë pjesë e lëvizjes politike që ka shpallur ish-kryeministri i vendit. Harasani deklaroi se do të vijonte të ishte një kontribuues për Partinë Socialiste, pavarësisht se nuk kishte më mandatin e deputetit.


Mandati


Historiani dhe studiuesi, Auron Tare, pritet të marrë mandatin e deputetit lënë nga Andis Harasani, duke qenë se ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputet në Qarkun e Tiranës në vitin 2009. Por koha se në të cilën Tare do ta marrë këtë mandat nuk mund të përcaktohet me saktësi, pasi institucioni që jep mandatet e deputetëve dhe ja paraqet ato Kuvendit është KQZ-së. Këtij institucioni aktualisht i ka skaduar mandati dhe ende anëtarët e rinj që do të jenë pjesë, nuk janë përzgjedhur nga forcat politike në vend. Kompletimi i këtij procesi duket se do ju marrë shumë kohë forcave politike në vend dhe për pasojë do të sjellë vonesa dhe në mandatimin e deputetit të ri socialist.


 


Harasani – “Dëshiroj të siguroj të gjithë votuesit e mi, si dhe të gjithë anëtarësinë e Partisë Socialiste, se pavarësisht shkëputjes nga aktiviteti parlamentar, do të vazhdoj të mbështes dhe të punoj për të siguruar fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në të njëjtën kohë dëshiroj të falënderoj publikisht kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për mbështetjen që më ka dhënë dhe bashkëpunimin që kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve”


Rama – “Komunikoj largimin nga grupi të Andis Harasanit për arsye tërësisht personale. Ky largim nga grupi nuk është heqja e mbështetjes për PS nga ana e tij dhe jam i bindur se ai do të vazhdojë të jetë jo vetëm një mik i të gjithëve, por edhe një mbështetës i rrugës sonë drejt fitores së zgjedhjeve”


Dritan Prifti – “Në një reagim miqësor të tij, deputeti i pavarur, Dritan Prifti, thotë se Andis Harasani do të mbetet një profesionist i vyer që i ka shërbyer vendit dhe një deputet që fitoi në një zonë të djathtë të Tiranës, duke thyer mitin e PD-së në Tiranë. Prifti thotë se nuk i di arsyet personale përse largohet Harasani, por shpreh bindjen se ai është i aftë të shkëlqejë kudo që të shkojë”