Dy fëmijët peng


Me lot në sy, e shfrytëzuara rrëfen historinë para oficerit në Vlorë



Kërcënimi


“Ai më dhunoi dhe më kërkoi që unë të kryeja marrëdhënie seksuale me personat që ai më gjente kundrejt pagesës, duke më kërcënuar se nëse nuk do e kryeja një veprim të tillë, do më vriste dy fëmijët që kisha lënë në Shqipëri”



Italiania tregon sesi i mbanin peng fëmijët në Shqipëri, teksa e detyronin të bënte prostitutën në Itali


Altin Kacaj


E përlotur, pasi më në fund po takonte dy fëmijët e saj, që kishte dy muaj që ia kishin marrë peng, 34-vjeçarja italiane ka hyrë në ambientet e policisë së Vlorës, duke i falënderuar të gjithë, pasi kishin shpëtuar atë dhe të vegjlit nga njeriu, i cili i kishte ofruar dashuri, por që me kërcënime e kishte nxjerrë për të prostituuar në rrugët e Italisë. Edhe pse gjatë gjithë kohës ledhatonte kokën e fëmijëve, ajo nuk i ka ndaluar lotët në asnjë moment, teksa jepte deklaratën para oficerit të policisë shqiptare për makthin që kishte përjetuar nga personi, që sipas saj, kishte ditur ta mashtronte e më pas ta mbante nën presion me qëllim që çdo natë, ajo të çonte në xhepin e tij deri në 2 mijë euro. 34-vjeçarja nga Rimini, me iniciale V. P., brune, e veshur me një fustan vere, e cila menjëherë pasi ka dhënë deklaratën ka kërkuar për të udhëtuar drejt Italisë, ka rrëfyer me detaje para policisë sesi ka ndryshuar jeta e saj që nga njohja me vlonjatin Altin Kaçaj, i cili ishte prezantuar si beqar, pavarësisht se në Shqipëri rezultonte i martuar dhe me fëmijë, deri dy ditë më parë, kur policia e kishte shoqëruar bashkë me të.


 


Rrëfimi i saj


“Jam njohur me të në Rimini, ku punoja privatisht. Jam njohur rreth gjashtë muaj më parë, ndërkohë që pas tre muajsh, krijuam lidhje intime. Ai më kishte treguar që ishte shqiptar dhe që merrej me biznes në Vlorë, ku edhe më kishte ftuar bashkë me dy djemtë e mi, 10 dhe 7 vjeç. Në këto kushte, rreth 2 muaj e gjysmë më parë, kam ardhur në Shqipëri, bashkë me dy fëmijët dhe kemi qëndruar në një banesë private, ku Altini më ka prezantuar edhe vëllain e tij”, ka treguar 34-vjeçarja nga Rimini për njohjen me Altin Kaçajn. Sipas saj, fillimisht, ai ka qenë i dashur, derisa janë rikthyer në Itali. “Kur erdha në Shqipëri, nuk mund të qëndroja shumë kohë, pasi isha në punë dhe do kthehesha sërish në Rimini. Por, Altini më kërkoi që të lija fëmijët në Shqipëri, derisa të përfundonte sezoni turistik. Ai tha se ata do të qëndronin me familjen e tij, kështu që ne u nisëm të dy drejt Italisë. Por, sapo shkuam atje, gjithçka ndryshoi”, ka shpjeguar vajza italiane në polici.


 


Dhuna në Itali


Pas kthimit, ajo rrëfen se ai i ka kërkuar që të prostituonte. Fillimisht, ajo e ka refuzuar një kërkesë të tillë, por ai e ka goditur dhe kërcënuar, për t’i bërë të qarta qëllimet e tij. “Ai më rrahu dhe më kërkoi që unë të kryeja marrëdhënie seksuale me personat që ai më gjente kundrejt pagesës, duke më kërcënuar se nëse nuk do e kryeja një veprim të tillë, do më vriste dy fëmijët që kisha lënë në Shqipëri. Aty e kuptova, pse ai kishte këmbëngulur që fëmijët t’i lija në Vlorë”, shprehet italiania. Më tej, ajo ka treguar para policisë se është detyruar të bëjë çfarë kërkonte ai, ndërsa çdo herë që e takonte i lutej të fliste në telefon me fëmijët e saj, aq sa për t’u dëgjuar zërin. Por, gjithmonë e më shumë, ai tregohej agresiv, duke e dhunuar, ndërsa ajo humbte shpresat se mund të dilte nga ky makth. “Gjithçka m’u duk se mori fund për mua. Më pas, ai erdhi në Shqipëri dhe për kujdestar më la vëllain e tij. Zakonisht, klientët paguanin nga 300 deri në 400 euro, ndërkohë që në një ditë më duhej të bëja 600 deri në 800 euro që ai të ishte i kënaqur. Përndryshe, ai më rrihte dhe vazhdonte me kërcënimet e tij”, thotë ajo, ndërsa lotët nuk i ndalon dot.


 


Kthimi në Vlorë


Ndërsa për kthimin në Vlorë, mësohet se gjithçka ka qenë e rregulluar nga pala italiane, e cila ishte vënë në dijeni të rastit të saj. Autoritetet italiane mësohet se kanë organizuar një kthim të personit të dyshuar për ngjarjen në Vlorë, bashkë me viktimën e prostitucionit. “Sapo erdha në Vlorë, policia kontaktoi me mua, ndërkohë që në telefon më kërkonte Altini me qëllim që t’i jepja para. Fillimisht më ndryshoi vendin e takimit, kështu që i thashë se do merrja një taksi, ndërkohë që policia më mbante në vëzhgim. Kur shkova për t’i dhënë paratë, policia ka ndërhyrë, duke bërë arrestimin e tij dhe duke liruar dy fëmijët e mi. Faleminderit që më kthyet fëmijët dhe më liruat prej tij”, është shprehur ajo para oficerit të policisë, ndërkohë që ka dhënë të gjitha detajet e tjera të nevojshme për hetimin e krimit të rëndë, që është realizuar nga dy vëllezërit vlonjatë.


Red. Akt.


 


 


Bashkëpunimi


Autoritetet italiane falënderojnë policinë e Vlorës


Autoritetet italiane kanë falënderuar strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë për këtë operacion të shkëlqyer dhe të realizuar me sukses si në drejtimin e lirimit të fëmijëve, por edhe të arrestimit të personave që mbanin peng. Nga burimet pranë policisë së Vlorës mësohet se autoritetet e konsullatës së Italisë në qytetin bregdetar kanë ndjekur nga afër të gjitha hetimet dhe operacionin për shpëtimin e dy fëmijëve, që mbaheshin peng. Ndërkaq, nga autoritetet italiane mësohet se Altin Kaçaj, autori kryesor i shfrytëzimit të italianes, bashkëpunonte me një grup kriminal në Rimini, kështu që vazhdon operacioni edhe atje për zbulimin dhe goditjen e këtij aktiviteti kriminal. Altin Kaçaj dhe i vëllai, Besmiri, do të hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë për veprat penale “shfrytëzim për prostitucion në rrethana rënduese” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.


 


 


Vlorë


Zbardhet operacioni, dy vëllezër vlonjatë morën peng fëmijët italianë


Mesazhet në telefonin e tutorit: Më sill para, ose të vrava fëmijët


Altin Kaçaj mbante fëmijët në makinë, teksa kishte lënë takim me italianen për t’i zhvatur paratë


Vëllai i Altinit, Besmir Kaçaj akuzohet se ka mbajtur nën kontroll viktimën 34-vjeçare në Itali


Besmir Kacaj


Altin Kaçaj, i dyshuari kryesor për mbajtjen peng të dy fëmijëve italianë dhe shfrytëzimin e nënës së tyre për prostitutë është kapur gjatë momentit që do të merrte paratë nga italiania, ndërkohë që të miturit i mbante në makinë për presion. Ndërsa vëllai i tij është arrestuar pak orë më vonë, pasi ishte kthyer nga Italia dy ditë para italianes. Policia e Vlorës ka zbardhur dje detajet e operacionit për arrestimin e dy vëllezërve, ndërkohë që në telefonat e tyre janë kapur edhe mesazhet kërcënuese ndaj italianes. Sipas të dhënave, rreth orës 13:00 të së hënës, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës është paraqitur për kallëzim italiania me iniciale V. P., e cila ka kallëzuar faktin se rreth 2 muaj më parë ka ardhur në Vlorë me pushime me dy fëmijët e saj, dy djem 10 dhe 7 vjeç, tek i dashuri i saj, Altin Kaçaj, 37 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku” Vlorë. Ky i fundit, nëpërmjet mashtrimit i ka mbajtur fëmijët në Vlorë. Duke i besuar, ajo dhe është larguar për në Itali së bashku me shtetasin Altin Kaçaj. Pasi kanë shkuar në Itali, ai bashkë me vëllain e tij, Besmir Kaçaj, nën presionin e moskthimit të fëmijëve e kanë detyruar të prostituohej këtë shtetase në Itali, me qëllim për t’iu siguruar atyre shuma të konsiderueshme parash. Nga hetimet e policisë rezulton se Altini ia ka lënë italianen në dorëzim Besmirit, ndërkohë që rreth një javë më parë, ajo i ka dalë jashtë kontrollit. Në këtë kohë, Altini ndodhej në Shqipëri dhe i ka dërguar mesazhe kërcënuese italianes, duke i kërkuar që t’i sillte para, pasi nuk i kthente më fëmijët dhe do ia vriste. Italiania ka udhëtuar drejt Shqipërisë, me pretekstin se do i jepte paratë vlonjatit, por nga ana tjetër, ka bashkëpunuar me policinë për arrestimin e tij. Në këto kushte, ai i ka kërkuar 34-vjeçares t’i çonte paratë në një vend të caktuar, por më pas ia ka ndryshuar vendtakimin. Ajo, duke komunikuar në telefon me Altinin, është shprehur se po merrte një taksi, ndërkohë që një prej policëve të operacioneve speciale ka hipur në makinë si taksist, ndërsa të tjerët kanë rrethuar zonën. Kur kanë shkuar në vendin e takimit, policia është siguruar nëse fëmijët ndodheshin aty dhe më pas ka ndërhyrë për arrestimin e Kaçajt. Fëmijët u gjetën në makinën e tij, të parkuar te vendi i quajtur “Riviera”. Më pas, policia ka vazhduar operacionin për kapjen e vëllait të Altinit, Besmir Kaçaj, 22 vjeç, i cili u arrestua pak orë më vonë në afërsi të shkollës “Halim Xhelo”. Ndërkaq, gjatë veprimeve hetimore, policia ka gjetur edhe mesazhe implikuese në telefonat e dy personave të arrestuar. Në telefonin e Altinit është gjetur një mesazh drejtuar 34-vjeçares, ku kërcënonte me jetën e fëmijëve dhe kërkonte që ajo të dërgonte para dhe të kthehej te Besmiri, i cili i gjente klientët. Më pas, policia ka kryer një sërë kontrollesh për dy të arrestuarit, ndërkohë që janë shoqëruar edhe persona të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë me ta. Të gjitha veprimet e mësipërme janë kryer në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Departamentit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Mi. Ma.