Konflikti për makinën shkaktoi tri viktima

Vrasësi i Blinishtit, Kastriot Zhuba, ishte konfliktuar edhe me një tjetër person

Ardian Bushi

Policia ka zbardhur skenën e vrasjes së trefishtë në fshatin Blinisht në Lezhë. Autori Kastriot Zhuba ka goditur fillimisht me automjet Fajton Shtjefnin. Familja e 24-vjeçarit, ka shkuar në banesën e Zhubës, për të sqaruar konfliktin. Rrok dhe Mira Shtjefni kanë qëndruar para banesës, ndërsa mësohet se Rroku kishte një pistoletë me vete. Pa u dhënë asnjë shpjegim “mysafirëve”, Kastrioti ka dalë nga dera dytësore e banesës me një armë tip kallashnikov. Fillimisht ka qëlluar Fatjonin dhe më pas ka derdhur një breshëri plumbash mbi çiftin e bashkëshortëve. Si pasojë, kanë mbetur të vdekur në vend tre pjesëtarët e familjes Shtjefni, ndërsa autori, duke e ditur mjaft mirë për vrasjen, ka vrapuar për të vrarë një tjetër person, me të cilin ishte konfliktuar orë më parë. Fatmirësisht, nga shkëmbimi i zjarrit, nuk pati viktima të tjera, ndërsa Kastrioti është larguar nga fshati, pas masakrës. Sipas drejtorit të policisë së Lezhës, Muharrem Furriku “janë vënë në dispozicion 1 milion lekë të reja për çdo person që jep informacion për vendndodhjen e autorit të vrasjes së trefishtë të ndodhur në Blinisht”.

 

Konflikti i parë

Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se Kastriot Zhuba kishte pasur një tjetër konflikt, ku kishte qëlluar me armë në drejtim të një tjetër bashkëfshatari, i cili para pak muajsh i kishte rrahur të atin e ai kishte vendosur të hakmerrej. Sipas të njëjtave burimeve, mësohet se Kastriot Zhuba, gjatë mbrëmjes së të hënës, kishte zënë pritë për të vrarë bashkëfshatarin Skënder Sallaku, por ky i fundit i druhej hakmarrjes dhe ruhej, duke mos dalë jashtë në orët e natës. Zhuba ka tentuar të kalojë murin rrethues të banesës së Sallakut, por është përballur me plumbat e armës së 30-vjeçarit, ku ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes tyre. Pasi nuk ka mundur të kryejë krimin, Kastriot Zhuba është tërhequr dhe ka konsumuar alkool në një lokal në fshatin e tij.

 

Vrasja e trefishtë

Dëshmitë tregojnë se pas daljes nga lokali, 38-vjeçari Zhuba ka goditur me mjetin e tij 24-vjeçarin Fatjon Shtjefni. Ky i fundit i ka kërkuar shpjegime për atë çfarë ndodhi, por është gjendur nën kërcënimet e Zhubës, i cili e ka goditur sërish me pjesën e pasme të makinës. Fatjon Shtjefni është drejtuar te prindërit e tij, dhe së bashku kanë shkuar në banesën e Zhubës, ku i ka kërkuar këtij të fundit të dalë jashtë. I ati, 54-vjeçari Rrok Shtjefni mbante me vete edhe një pistoletë. Sipas policisë që ka zbardhur skemën e vrasjes, Kastriot Zhuba ka dalë nga pjesa e pasme e shtëpisë dhe ka qëlluar menjëherë me automatik në drejtim të Fatjonit, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ka qëlluar edhe në drejtim të dy prindërve të tij, pasi ka parë se Rrok Shtjefni mbante një armë me vete. Pas vrasjes, Kastriot Zhuba është rikthyer sërish te banesa e Skënder Sallakut, kanë shkëmbyer zjarr mes tyre, por pa shkaktuar të tjera viktima. Pas këtij momenti, 38-vjeçari Kastriot Zhuba është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë po punojnë për kapjen e autorit të këtij krimi të rëndë.

 

Jo hakmarrjes

Sipas familjarëve të viktimës, dje pas vrasjes në banesën e Rrok Shtjefnit ka ardhur edhe Luçian Augusti arqipeshkëv i dioqezës së Vaut të Dejës në Shkodër, por që mbulon edhe Lezhës. Ai u ka kërkuar familjarëve të tri viktimave të mos hakmerren, por gjithçka t’ia lënë ligjit. Fjala e Agustit ka ndikuar fuqishëm te familja Shtjefni, e cila është edhe një familje besimtare e cila në asnjë moment nuk ka artikuluar fjalën hakmarrje. Ndërsa mësohet se pas vrasjes së tyre, në familjen Shtjefni ka qenë për ngushëllim edhe kryetari i Komunës Blinisht, Jak Zhupa, i cili është pritur nga familjarët e viktimës.

Autor te 26 Shtator 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry