Fëmijët me zemër të sëmurë


Deformimet konstatohen që në shtatzëni, kërkohen protokolle më të mira dhe qendra diagnostikuese


Lorina Mixha


Në vitin 2012, kur teknologjia dhe gjetja e informacionit po arrin përsosmërinë, është koha që shëndetësia shqiptare të mendojë për parandalimin dhe jo trajtimin. Ky ka qenë motivi kryesor i seancës së djeshme në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Diskutimi për kurimin, diagnostikimin dhe parandalimin e fëmijëve të lindur me defekte e kryesisht me zemër të sëmurë, ishte i pari i këtij lloji zhvilluar ndonjëherë në vend. Kryetarja e Parlamentit ka qenë e pranishme në seancë, ku mjekët dhe prindërit e fëmijëve të sëmurë u kanë kërkuar anëtarëve të komisionit dhe Jozefina Topallit, mbështetje për të realizuar fushatë për parandalimin e lindjeve me defekte, përmirësimin e protokolleve të kontrolleve, si dhe infrastrukturë për diagnostikim. Shefi i pediatrisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, Durim Bebeci, tha se: “Kemi nevojë për pajisje diagnostikuese. Pajisjet diagnostikuese në spitalin që drejtoj unë aktualisht janë pa funksion. Ndoshta një angazhim jo shumë i madh në investime do të na çlironte nga kjo mangësi, ku kemi një muaj që i kthejmë mbrapsht fatkeqit, sepse nuk na punon ekografia. Kërkojmë përkrahje në infrastrukturë, kështu jemi më të qetë karshi atyre që trokasin në derën tonë”.


Të njëjtën kërkesë i ka bërë dje komisionit edhe kardiokirurgu Arben Baboçi, i cili bashkë me kirurgun Altin Veshti kanë shpëtuar qindra zemra foshnjash. Nga ana tjetër, drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, ka deklaruar se është e nevojshme trajnimi i mjekëve obstetër për të bërë diagnostikime të sakta, të cilat janë tepër të nevojshme për të evidentuar problemet e deformimeve që në shtatzëni.


Kreu i shoqatës “Një botë për një zemër”, Agim Baçi, ka sjellë dje në seancë zërin e prindërve, të cilët kanë pasur një fëmijë me zemër të sëmurë.


“Shumë prej jush në këtë sallë, si të zgjedhur, ndoshta do të kenë pasur rastin të ndeshen me kërkesa për të ndihmuar një fëmijë që ka ardhur në këtë botë me defekte të lindura. Pa dyshim jam i bindur se ndoshta janë çastet më të vështira që ju bëjnë të mendoheni më shumë. Por a nuk do të ishte më e rëndësishme që më mirë se sa të merremi me shërimin, të merremi me parandalimin e një fenomeni të tillë, apo me zgjidhjen në kohë të tij”, tha Baçi. Sipas tij, do të ishte e udhës krijimi i tri qendrave të specializuara për të gjithë Shqipërinë për sëmundjet e lindura, ku natyrisht përfshihen edhe sëmundjet e lindura të zemrës. Në këto qendra jo vetëm do të mundësohej diagnostikimi i hershëm, por do të bëhej orientimi i duhur i mjekëve dhe prindërve që të merrej trajtimi korrekt në qendra të specializuara në kohën e duhur. Këto qendra do të krijonin edhe rrjetin e të dhënave konkrete që do të mundësojnë gjithashtu edhe hartimin e politikave korrekte respektive në bazë të nevojave konkrete.


 


Kontrolli


Vizita e parë pas lindjes së bebes, më e rëndësishme


Në bazë të të dhënave nga mjekët në QSUT dhe dy maternitetet e Tiranës, ku përqendrohet numri më i madh i fëmijëve që diagnostikohen me sëmundje të lindura në zemër, rezulton se janë rreth 300 lindje çdo vit me sëmundje të lindura në zemër në të gjithë vendin. Pjesa më e madhe e këtyre lindjeve, rreth 70% (210 në vit) kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Bazuar në të dhënat nga vetë mjekët kardiopediatër, sfida kryesore mbetet diagnostikimi i hershëm, i cili është shumë i rëndësishëm për shëndetin e fëmijës. Diagnostikimi i hershëm kupton diagnostikimin qysh në periudhën e shtatzënisë, në atë të paslindjes dhe në periudhën e foshnjërisë. Për këtë arsye, sipas kardiopediatërve, për neonatologun është shumë i rëndësishëm ekzaminimi i kujdesshëm, për të bërë diagnostikimin në kohë, veçanërisht për veset e mesme dhe ato me ndikim të rëndësishëm në shëndetin e të voglit. Po kështu edhe vizita e parë në konsultoren e fëmijës është shumë e rëndësishme për diagnostikimin e hershëm.


Evidentimi në kohë dhe ndihma mjekësore në kohë e ofruar do të ishte një mbështetje për familjen dhe një qytetar i shëndetshëm për shoqërinë. Ndërsa shtetit do t’i kursente buxhetin social.