Partia Socialiste përmes sekretarit për programin, Ilir Beqja ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha të bëra sot në mbledhjen e qeverisë për masat antikrizë dhe arritjet ekonomike të qeverisë shqiptare. Sipas PS, krizën ekonomike në të cilën gjendet vendi ynë e ndiejnë të gjithë, përveç kryeministrit Berisha, i cili sipas Beqjes flet për shifra që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me realitetin shqiptar.


“Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u përqendrua sërish tek ekonomia. Jo për t’u shpjeguar shqiptarëve krizën ekonomike me të cilën po përballet vendi ynë, as për të prezantuar masat antikrizë të ndërmarra nga qeveria, por për të gënjyer dhe për të bërë publike të tjera shifra dhe fakte të fabrikuara, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin që jeton çdo familje shqiptare apo me situatën reale ekonomike të Shqipërisë”, – tha ai.


PS i është referuar me këtë rast edhe të dhënave të deklaruara nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili sipas Beqjes përgënjeshtroi Berishën, duke folur hapur për krizën që po përjeton ekonomia jonë, kur iu referua rënies në mënyrë drastike të fuqisë blerëse, që është një tregues i drejtpërdrejtë i kësaj krizë.


“Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që deri më sot nuk ka ditur kurrë të përgënjeshtrojë propagandën e kryeministrit, në një konferencë për shtyp e përgënjeshtroi Sali Berishën, duke thënë se ekonomia jonë po kalon momente kritike. Madje, për herë të parë guvernatori Fullani pranoi se fuqia blerëse në vend ka rënë, duke vërtetuar argumentin e bërë publik prej javësh nga opozita. Gjendja të cilën po kalon kryeministri Berisha është aq e pashpresë, sa jo vetëm propaganda nuk mund ta përmirësojë, por gënjeshtrat e njëpasnjëshme të tij po përgënjeshtrohen çdo ditë edhe nga vetë institucionet që ka vendosur nën diktat” thuhet në deklaratën e PS”, – tha Beqja.


Beqja përgënjeshtroi më tej shifrat e parashtruara nga kryeministri Berisha, që nga rritja e fitimit të bizneseve të vogla e deri tek rënia e numrit të të papunëve, si të pavërteta dhe të trilluara.


“Kryeministri Berisha tha sot se numri i të punësuarve në Shqipëri është rritur me 9 mijë vetë. Përsëri gënjen. Jo vetëm që numri i të papunëve në vendin tonë është plot 1 milion, por sot, shtatë vjet pas drejtimit të qeverisë, numri i të punësuarve është po ai i vitit 2005. Pra në shtatë vjet jo vetëm është rritur papunësia, por qeveria e Sali Berishës ka dështuar të rrisë numrin e të punësuarve. Kjo shpjegohet edhe me faktin pse të ardhurat nga tatimi i pagës në vitin 2012 janë më të ulëta krahasuar me një vit më parë”, deklaroi Ilir Beqja.

26 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)