Një nga udhëheqësit më të kërkuar të karteleve të drogës në Meksikë është arrestuar nga forcat e sigurisë në Meksikë. Marina meksikane ka vënë në pranga të mërkurën, në shtetin San Luis Potosi, Ivan Velazquez Caballeron, kreun e kartelit të drogës ‘Zetas’, i cili njihet ndryshme me pseudonimin “Z-50” ose “El Taliban”.
Banda u krijua nga një grup dezertorësh të ushtrisë dhe veproi në kartelin e Gjirit para ndarjes me ish-punëdhënësit e tyre në vitin 2010. Velazquez gjendej në listën e 37 më të kërkuarve të qeverisë meksikane të publikuar në vitin 2009.
Mbi 20 persona të tjerë të këtij karteli të dhunshëm tashmë ose janë kapur nga polica, ose janë vrarë. Gjithsesi, rezulton se trafiqet e drogës nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara favorizohen edhe nga zyrtarë të devijuar të shtetit latin, ndaj disa ditë më parë janë arrestuar një numër i madh efektivësh policie të cilët favorizonin kartelin e ‘Zetas’, që është i dyti për nga madhësia në vend.
27 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)