Kulturë Kinefili Filmi: “Pharmakon” i Joni Shanajt përfaqëson Shqipërinë në “Oskar”

Filmi: “Pharmakon” i Joni Shanajt përfaqëson Shqipërinë në “Oskar”

550
SHPËRNDAJE

“Pharmakon” do të jetë filmi që do të prezantojë Shqipërinë në çmimet “Oskar”. Filmi, i realizuar nga regjisori i ri Joni Shanaj, ka qenë i vetmi që përmbushte kriteret. Bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike është mbledhur në datën 21 shtator për të marrë vendimin, që këtë radhë ka qenë tërësisht i lehtë. Pjesëmarrja në “Oskar”, përveç faktit që produksioni duhet të jetë shqiptar në tërësinë e elementeve, ka edhe si kriter shfaqjen e filmit në kinema nga tetori i vitit 2011 deri në shtator të këtij viti. Në këtë hark kohor, filmi “Pharmakon” i Joni Shanajt ka qenë i vetmi që i është prezantuar publikut. Në diskutim ka qenë edhe filmi i Andi Delianës “Out of touch” (“E pakapshme”), por sipas drejtorit të QKK-së, nuk i plotësonte kriteret për të konkurruar. Bordi ka pasur afat që të merrte vendim deri në fund të shtatorit, por në këto kushte, zgjedhja ishte e gatshme. I përfunduar për këtë vit është edhe filmi “Agon” i Robert Budinës, i cili ende nuk e ka shfaqur në kinema e që tashmë bëhet një film kandidat për vitin e ardhshëm. “Pharmakon”, një prodhim i “Zig Zag-Film”, që ka synuar të trajtojnë luftën për dominim mes brezave, por edhe fenomenin e korrupsionit, ka në rolet kryesore Olta Gixharin (infermierja Sara), Kastro Zison (në rolin e Brankos) dhe Niko Kanxheri në rolin e doktorit, i ati i Brankos. Ndonëse në përpjekje për të sjellë një trajtim të ri në këtë film, regjisori Joni Shanaj ka rënë në kurthin e një lineariteti dhe të mungesës së motivimit të ngjarjes. Vendimi për “Oskar” është bërë në heshtje, ndryshe nga një vit më parë, kur filmi “Falja e gjakut” u përjashtua me arsyetimin e të mos qenët shqiptar dhe u zëvendësua me filmin “Amnistia” të Bujar Alimanit, por që nuk hyri dot në zonën e çmimeve. “Pharmakon” do të konkurrojë në seksionin e filmit më të mirë të huaj.