Amnistia për “100-vjetorin”
Halimi: Lirohen nga dënimi ata që u ka mbetur viti i fundit, ulje masive dënimi ¼
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka pranuar për herë të parë se do të ketë një amnisti për të burgosurit, të paraburgosurit dhe personat nën hetim. Sipas tij, do të lirohen rreth 250 të burgosur, nga 4600 që janë në total, ndërsa do të ketë ulje masive të dënimit në masën e ¼. Ai thotë se gratë mbi 55 vjeç dhe fëmijën nën 18 vjeç do të lirohen. Lirohen edhe personat që janë në vitin e fundit të dënimit. Në emisionin “Intervista” të gazetarit Alfred Peza, ministri pohoi se ka edhe një kategori veprash penale që nuk përfitojnë nga amnistia.
“Për 100-vjetorin do të ketë një amnisti. Do të jetë një amnisti e cila nuk do të jetë e gjerë. Nuk do të jetë shumë e gjerë, si ministër do të më interesonte të ishte e gjerë, sepse edhe të dënuarit mund të kishin më shumë interes për të përfituar, edhe familjarët e tyre, edhe shteti tregohej zemërgjerë në një moment të caktuar, siç është momenti historik i 100-vjetorit të pavarësisë. Por, si një politikan dhe si një qytetar, duke pasur parasysh dhe gjendjen e kriminalitetit që është sot në Shqipëri më është dashur të tregohem i kujdesshëm nga çfarë jemi treguar në vitin 2007, ku amnistia ka përfshirë të gjithë të dënuarit të cilët kishin 2 vitet e fundit të dënimit dhe liroheshin. Me amnistinë e këtij viti do të lirohen nga dënimi të gjithë personat që i ka mbetur viti i fundit. Pra ata persona që do të kenë 365 ditë dhe më pak do të lirohen. Sigurisht do të përfitojnë pastaj dhe të gjithë personat, gratë, të cilat janë mbi 55 vjeç. Pra të gjitha të dënuarat femra që në datën 28 Nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç”, thotë Halimi.
Sipas tij, lirohen të gjithë të dënuarit me burgim, të miturit, që në moshën kur kanë kryer veprën, kanë qenë më pak se 18 vjeç apo baras me 18 vjeç. Për të gjithë pjesën tjetër të të dënuarve, që nuk plotësojnë këto kritere, jo se edhe ata do të dalin duarbosh nga amnistia, shteti përsëri do të tregohet zemërgjerë në momentin e këtij evenimenti historik për Shqipërinë që është 100-vjetori, do të zbritet 1/4 e dënimit. Atyre që janë përsëritës iu ulet 1/8. Dhe nuk përfitojnë të gjithë sigurisht ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit, të gjithë ata që kanë kryer vrasje, asnjë nga vrasësit nuk do të përfitojë as edhe një ditë ulje nga amnistia, askush që ka kryer krime kundër njerëzimit, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitura, askush që ka kryer vepra penale kundër lirisë së personit: mbajtje peng dhe me radhë, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me prostitucionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me trafikun e armëve dhe të drogës, si dhe një sërë të tjerash.
Lirohen – Numri i personave që përfitojnë do të jetë dikur rreth 220-250, të cilët do të përfitojnë lirinë më 28 Nëntor të vitit 2012
Të prekurit – Numri i tyre sigurisht që është më i madh, e kemi në proces llogaritjeje. Aktualisht po verifikojmë bazat ligjore