Drafti – Këshilli i Ministrave i ka bërë ndryshimin e tretë radhazi ligjit nr. 9157, për “Përgjimet e Telekomunikimeve”, i miratuar në vitin 2003
Drejtësia – Një autoritet qeveritar, që shtohet si organ pjesë e çështjes së përgjimeve bëhet edhe Ministria e Drejtësisë, krahas asaj të Brendshme
SHISH – Shërbimi Informativ Shtetëror ka gjithashtu rol kyç në çështjen e përgjimeve të komunikimeve elektronike, pra telefon dhe internet
AKEP – Në projektligj theksohet se rol të rëndësishëm rregullator në çështjen e përgjimeve do të luajë Autoriteti i Komunikimit Elektronik
Para largimit të Ina Ramës, kalon drafti i ri
Fatjona Mejdini
Prokurori i ri i Republikës mund të ketë fuqi më të madhe në lidhje me përgjimet, nëse drafti i kaluar dje në qeveri do të kalojë në Parlament. Sipas këtij drafti, Prokurori i Përgjithshëm mund të urdhërojë përgjime telefonike në disa raste specifike pa marrë më parë aprovimin e gjykatave. Ky është thelbi i ndryshimeve ligjore që u bënë dje në ligjin numër 9157 për “Përgjimet e Telekomunikimeve”. Kryeministri Berisha, në mbledhjen e qeverisë, deklaroi se ky draft që pritet të kalojë për miratim në Kuvend, ka marrë “bekimin” e të gjitha institucioneve të vendit dhe me specialistët ndërkombëtarë. Por teksa shihet qartë se drafti është i konsultuar me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të tjera institucione të pavarura që në vitin 2011, ajo që të bie në sy lidhet me shtesën që së fundmi i është bërë draftit, e cila nuk rezulton të jetë e konsultuar me institucionet apo ekspertët. Bëhet fjalë për shtesën që i bëhet nenit 23 të ligjit aktual, ku Prokurorit të Përgjithshëm i rriten kompetencat për të urdhëruar përgjim nëpërmjet mjeteve të telekomunikacionit. Kjo nismë vjen në një moment, kur Kryeprokurorja, Ina Rama, është në fund të mandatit të saj dhe kur mazhoranca është vendosur që ta largojë në muajin nëntor, për ta zëvendësuar me një person të afërt me koalicionin qeverisës.
Risia
Drafti i ri ligjor i jep të drejtën numrit një të organit të akuzës të urdhërojë përgjime pa pasur nevojë për vendimin e gjykatës. Pra, ndryshe nga çfarë sanksionohet në ligjin që është në fuqi. Është interesant fakti se drafti parashikon termin “për çështje të veçanta”, por nuk detajon se cilat janë këto raste, të cilat lejojnë një përgjim pa miratimin të gjykatave. “Pas pikës 2 të nenit 23, shtohet pika 3. Prokurori i Përgjithshëm, për çështje të veçanta, për nevoja të hetimeve paraprake, sipas procedurave të përcaktuara në nenet 221 deri 226, të Kodit të Procedurës Penale, urdhëron realizimin teknik të procesit të përgjimit nga prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe nga prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda”, theksohet në draftin e publikuar dje në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave. Ligji aktual parashikon në nenin 23 të tij, se “Prokurori i Përgjithshëm ose prokurori i autorizuar prej tij me akt zyrtar bashkëshoqëron dhe komunikon vendimin e gjykatës, i cili regjistrohet në Sektorin e Përgjimeve”.
Kontradikta
Pavarësisht se Kryeministri Berisha deklaroi dje se drafti për përgjimet e telekomunikacioneve ka marrë miratimin e institucioneve shqiptare dhe ekspertëve ndërkombëtarë, kjo gjë ka ndodhur pjesërisht. Nga një vëzhgim që “Shqip” kreu në lidhje me draftin, rezulton se konsultat dhe miratimi i institucioneve dhe ekspertëve është marrë vetëm për pjesën e draftit që nuk përfshin rolin specifik të kryeprokurorit në autorizimin e përgjimeve. Kështu, shtesa e bërë në nenin 23 nuk i është dërguar ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve shqiptare për diskutim, por duket se është futur rrugës së tij drejt Këshillit të Ministrave. Gjithsesi drafti pritet të kalojë në komisionet parlamentare, një tjetër filtër i rëndësishëm për sa i përket kontrollit të drafteve që vijnë nga ministritë apo forumeve të tjera.
Kryeministri Berisha e veçoi nga rendi i ditës së mbledhjes së djeshme të qeverisë projektligjin “Për përgjimin e telekomunikacioneve”. Nëpërmjet kësaj nisme, që sipas Berishës ka marrë miratimin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve në vend, Kryeministri vuri në dukje dhe pasionin e gazetarëve për përgjimet. “Ky ligj është fryt i një bashkëpunimi të gjerë, intensiv, i të gjitha institucioneve të vendit me specialistët më të mirë ndërkombëtarë. Ai sjell standardet e reja në fushën e përgjimit, fushë, të cilën ju gazetarët e keni pasion të madh dhe nëpërmjet tij keni pasur shansin të rrëzoni jo një, por kush e di sa politikanë, për shkak se keni lënë mikrofonin hapur, kur ata flisnin lirshëm. Ligji u përgjigjet kërkesave të luftës kundër krimit të organizuar, kërkesave të transparencës dhe është produkt i një bashkëpunimi të ngushtë të shumë institucioneve”, deklaroi Berisha.
Situata
Interpretimi – Përfundimi i mandatit të Kryeprokurores Ina Rama i ka ndarë palët në dy pjesë. Disa janë të mendimit se ai përfundon në nëntor, ndërsa të tjerë në prill
Qëndrimi – Presidenti Bujar Nishani ka deklaruar se ai nuk do të marrë pjesë në debatin mbi datën e emërimit të prokurorit të ri. Ai tha që nuk kishte menduar ende një emër
Frika – Përfaqësuesit e opozitës janë të mendimit se dyshja Berisha-Nishani do të zgjedhin një Prokuror të ri të Përgjithshëm partiak dhe jo mbi kualifikimet e kërkuara ligjore.
Kryeministri
Berisha, batutë për gazetarët
Kryeministri Berisha e veçoi nga rendi i ditës së mbledhjes së djeshme të qeverisë projektligjin “Për përgjimin e telekomunikacioneve”. Teksa i mëshoi faktit se kjo nismë kishte marrë miratimin e institucioneve të vendit dhe ekspertëve ndërkombëtarë, Berisha nuk nguroi të vinte në dukje dhe pasionin e gazetarëve për përgjimet. “Ky ligj është fryt i një bashkëpunimi të gjerë, intensiv, i të gjitha institucioneve të vendit me specialistët më të mirë ndërkombëtarë. Ai sjell standardet e reja në fushën e përgjimit, fushë, të cilën ju gazetarët e keni pasion të madh dhe nëpërmjet tij keni pasur shansin të rrëzoni jo një, por kush e di sa politikanë, për shkak se keni lënë mikrofonin hapur, kur ata flisnin lirshëm. Ligji u përgjigjet kërkesave të luftës kundër krimit të organizuar, kërkesave të transparencës dhe është produkt i një bashkëpunimi të ngushtë të shumë institucioneve”, deklaroi Berisha.
Administratorët e furnizuesve të burimeve të internetit përgjigjen para AKEP-it
Përveç telefonatave, do të survejohen më lehtë edhe e-mail-et
Drafti i djeshëm i miratuar në Këshillin e Ministrave ndryshon dhe termat që përdoren për sa i përket materialit që përgjohet, duke rritur dhe gamën e informacionit personal i cili kalon nën kontroll. Me këto ndryshime termash, tashmë pritet që për përgjim të mos kalojnë vetëm telefonatat dhe mesazhet telefonike, por edhe “e-mail-et” dhe format e tjera të komunikimit përmes internetit. “Kudo në ligj termat ‘…telekomunikacion…’ dhe ‘… telekomunikim…’, zëvendësohen me shprehjen ‘…komunikim elektronik…’. Kudo në ligj shprehja ‘…operator/ët e telekomunikacioneve…’ zëvendësohet me ‘… sipërmarrës/it e komunikimeve elektronike…’”, thekson drafti i cili mori dje miratimin e ministrave të kabinetit “Berisha”. Po kështu relacioni që shoqëron këtë draft thekson se me anë të këtij projektligji synohet unifikimi i terminologjisë, duke reflektuar dhe zhvillimet teknologjike në fushën e telekomunikacioneve. “Drafti synon qartësimin e detyrimit të sipërmarrësve të komunikimeve elektronike jo vetëm për të siguruar përgjimin e ligjshëm të komunikimeve elektronike, por përmbushjen e këtij detyrimi në afat. Ai po ashtu ka si synim qartësimin e detyrimit për përmbushjen e detyrimit të vazhdimësisë së funksionimit të përgjimit të ligjshëm, në rastet e çdo lloj ndryshimi teknologjik të bërë nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike, përfshirë dhe rastin e zgjerimit të kapaciteteve si shtim të centraleve. Po kështu, synohet parashikimi i mekanizmit detyrues në rast të mosrespektimit të detyrimit në afat nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike përmes masave rregulluese”, theksohet në draft. Në relacion shpjegohet gjithashtu se përgatitja e këtij projektligji ka lindur si nevojë, për shkak të disa vështirësive me të cilat janë përballur institucionet që me ligj janë të ngarkuara për realizimin e procesit të përgjimit nëpërmjet implementimit të ligjit nr. 9157, datë 04.12.2003 “Për përgjimin e telekomunikimeve” i ndryshuar.
Akuzat – Opozita ka akuzuar pak javë më parë ministrin e Mbrojtjes, për përgjime të paligjshme të përfaqësuesve të saj.
Qëndrimi – Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka deklaruar se këto akuza janë të pavërteta dhe Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, nuk mund të përgjojë ilegalisht