21 janari
Tre deputetët e PS-së, Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Besnik Bare, do të thirren si dëshmitarë në procesin ndaj Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Prokurorët kanë paraqitur dje listën e rishikuar të dëshmitarëve, ku figurojnë edhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët po hetohen me një procedim paralel në Prokurorinë e Përgjithshme. Dëshmia e deputetëve socialistë pritet t’i shtohet listës së gjatë të më se 30 gardistëve që janë paraqitur deri më tani në procesin penal, ndërkohë që janë në listë për të dëshmuar më shumë se 40 efektivë të tjerë. Ndërsa prokuroria ka hequr dorë për të pyetur 17 prej tyre, njëri nga efektivët e gardës që nuk u paraqit në këtë seancë pritet të sillet me forcë nga policia në seancën e radhës.
Llupo në burg
Agim Llupo, gardisti i akuzuar për ngjarjet e “21 Janarit” do të vazhdojë të qëndrojë në qeli, deri në përfundim të procesit. Vendimi është marrë në seancën e djeshme nga trupi gjykues, i cili rrezoi kërkesën e bërë një seancë më parë nga avokati mbrojtës. Më herët, edhe prokurorët e çështjes kërkuan rrëzimin e kërkesës për lirimin e Llupos, pasi sipas tyre, pretendimet se akuza nuk e vërteton dot se arma me të cilën është kryer vrasja e Ziver Veizit, nuk është përdorur nga ky person, nuk qëndrojnë. Madje, akuza pohoi se nuk ka gërvishtur armën e të pandehurit që mban numrin 244.
Dëshmitarët
Ndërkohë, seanca ka vijuar me pyetjen e katër dëshmitarëve, tre prej të cilëve efektivë të gardës. Por ndërsa dy prej tyre dëshmuan se më 21 janar, megjithëse kishin pasur me vete armatim nuk kishin qëlluar, gardisti i tretë, i cili gjatë demonstratës ka qëndruar në vendroje, pretendoi se ka qëlluar në ajër. Gardisti Albert Bala ka qenë me shërbim më 21 janar dhe ka ruajtur shtëpinë e Kryeministrit Sali Berisha. Kanë qenë rreth dy grupe, rreth 25 persona, të gjithë të armatosur dhe me municion luftarak dhe manovër. Nuk kanë qëlluar për shkak se nuk janë sulmuar nga turma. Kanë bërë instruktazh.
Tre gardistët nuk kanë mundur të japin shpjegime para gjykatës për mënyrën se si ishte hapur porta kryesore, duke pohuar se nuk e kishin fiksuar një moment të tillë. Por ashtu si dhe kolegët e tyre në seancat e mëparshme, efektivët e gardës kanë dëshmuar në gjykatë se armët që kanë përdorur nuk ishin të pajisura me numrat përkatës. E vetmja shenjë dalluese, sipas tyre, ka qenë lloji i armës.
Deputetët
Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Besnik Bare janë thirrur dje nga prokuroria për dëshmi në procesin “21 janari”