Çmimi i lartë
Një nëne i duhet të paguajë tetëmijë e shtatëqind lekë për trinjakët e saj
Vali Qyrfyçi
“Vetë e papunë, burri i papunë dhe më duhen 87 mijë lekë (të vjetra), vetëm për librat e anglishtes. Ku t’i gjej?!”. Është një nënë e dëshpëruar, që dëshmon se nuk është aspak e lehtë të shkollosh fëmijët në Shqipërinë e moshës së internetit dhe nuk është e vetmja. Për familjet në nevojë që deri një vit më parë janë ankuar në mënyrë të vazhdueshme për vështirësitë që hasin në blerjen e librave dhe problemet me faturat tatimore dhe rimbursimet, ky vit i ri shkollor ka ofruar një tjetër sfidë dhe shkallë vështirësie financiare. Prindërit janë përballur me librin e ri të mësimit të gjuhës angleze që kushton jo pak, por 2900 lekë të reja dhe nëse një familje ka binjakë a trinjakë, ata nuk mund të shfrytëzojnë dot të njëjtin libër, pasi çdo libër ka kodin personal, me të cilin nxënësit pajisen menjëherë sapo paguajnë dhe marrin librin. Falë tij, ata kanë të drejtën të mësojnë dhe të ushtrohen në internet me metodën “Tell me more education online”, që është për të gjitha klasat nga e gjashta e arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar deri në klasën e dymbëdhjetë të arsimit të mesëm. Botuesi josh nxënësit-përdorues se kodi personal që është vetëm për përdorim individual mund të përdoret 24 orë në 24 të ditës gjatë të gjithë vitit. Metoda përpos librit të shtypur shoqërohet edhe me librin dixhital dhe fletoren e punës dhe me të mund të mësohet kudo ku ka një kompjuter të lidhur me internet. Habisë sonë për shqetësimin e ngritur nga një nënë trinjakësh i shtohen edhe prindër të tjerë që përballen me të njëjtin shqetësim, atë të shkollimit gjithnjë e më të kushtueshëm të fëmijëve dhe në shkollat publike. “Për fëmijën dhe sidomos shkollën, njeriu nuk kursen asgjë, po kur nuk ke me çfarë t’ia blesh. Jemi qarë më kot vitet e tjera. Këtë herë është një tmerr. Ne ende nuk ia kemi blerë anglishten djalit, edhe pse në shkollë ia kërkojnë me ngulm. Pres që burri të sjellë ndonjë para në shtëpi në fillim të tetorit dhe të shtrëngohemi e t’ia marrim”, thotë një grua tjetër, rreth të 40-ave. Ankesa e tyre u adresohej mësueseve të anglishtes, ndërkohë që në Drejtorinë Arsimore Rajonale në Durrës bëjnë të ditur se kjo është metoda e pranuar nga Ministria dhe se ajo është pjesë e procesit mësimor dhe nuk ka alternativa të tjera për nxënësit. Shqetësimit për familjet në nevojë që nuk e mbulojnë dot koston e lartë të këtij libri në DAR i përgjigjen se “të paktën zyrtarisht nuk ka asnjë zgjidhje dhe se familjet në nevojë mund t’i drejtohen Bordit të Shkollës përkatëse për të marrë mbështetje financiare, ose të gjejnë ndonjë mundësi tjetër për sponsorizim. Zgjidhjet e tjera mungojnë. Ky është një libër shkollor që e kalon çmimin e krejt paketës së librave dhe ka vënë në dilemë mjaft familje, ndërkohë që janë të detyruar ta blejnë atë në mos tani, përgjatë ditëve dhe javëve në vazhdim, për t’i siguruar fëmijës së tyre një proces normal arsimor në shkollat publike 9-vjeçare. Në 25-vjetorin e “Auralog”, prodhuesit francez të programit “Tell me more”, Shqipëria i dhuron një tjetër treg të gjerë e të rëndësishëm, ndërsa familjet e varfra, jo të pakta në numër, që tani kanë nisur të përballen jo vetëm me koston dhe nevojën e blerjes së librit, por edhe me kërkesat e shpeshtuara të fëmijëve të tyre për të punuar nëpër internet-kafetë e lagjeve, apo dhe për të pasur medoemos një kompjuter dhe linjë interneti në shtëpi, që të munden të ushtrojnë anglishten me metodën e re të të mësuarit online.
Libër i përveçëm
Libri nuk mund të përdoret nga një nxënës tjetër vitin e ardhshëm, për t’i kursyer këtë shpenzim një tjetër familjeje jo në gjendje të mirë ekonomike, pasi është personal dhe i konceptuar, përveç metodës individuale online, edhe si një fletore pune ushtrimesh
Prodhuesi
“Auralog” numëron 8 milionë përdorues
“Auralog” është botuesi botëror i programit (software) të mësimit të gjuhës. Me seli në kryeqytetin e Francës, Paris, që nga viti 1987, “Auralog” numëron afro 8 milionë përdorues dhe është e specializuar për hartimin e programeve të ndryshme për mësimin e gjuhëve të huaja, por ka pasur raste kur është raportuar dhe vështirësi në instalimin e programit. Një nga kompanitë më të suksesshme në këtë fushë, “Auralog” u themelua nga një grup specialistësh të gjuhësisë dhe teknologjisë, ndërsa sot është shtrirë në 65 vende dhe numëron 350 të punësuar. “Tell me more” njihet si pionier në fushën e industrisë së të mësuarit online, në internet, duke ndërthurur suksesshëm nevojat e edukimit dhe ato të tregut për kompaninë. Për shkollat dhe universitetet, “Tell me more” ofron të mësuarit e ndërthurur me praktikën edhe jashtë klasës, si dhe një vlerësim të nxënësit nga vetë programi, duke ofruar lehtësim të vlerësimit nga mësuesi i lëndës ndaj çdo nxënësi. Shpërndarës për metodën e plotë “Tell me more education online” në Shqipëri është “Koral-INC sh.p.k”.