Shifrat tragjike
Shumë prej të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën
Katër aksidente ndodhën brenda 45 minutash në Tiranë, duke sjellë 1 të vdekur dhe 6 të plagosur
Dy të vdekur dhe 21 të plagosur është bilanci tragjik i shtatë aksidenteve që kanë ndodhur dje në katër rrethe të vendit. Aksidentet më të rënda kanë ndodhur në Tiranë dhe në Fier, por të dëmtuar të shumtë kanë pasur edhe dy aksidentet në Gjirokastër dhe Lezhë. Policia ka nisur hetimet për të gjitha rastet, ndërkohë që bilanci tragjik ka bërë që menjëherë të përforcohen masat e policisë rrugore në të gjitha akset problematike.
Tiranë
Katër aksidente kanë ndodhur brenda një harku kohor prej 45 minutash në Tiranë, duke shkaktuar një të vrarë, tre të plagosur rëndë dhe tre të plagosur më lehtë. Aksidenti më i rëndë është ai që ka ndodhur në Paskuqan, në segmentin që lidh Urën e Treshit, me Paskuqanin. Një motor i ka prerë rrugën një automjeti tip “Mercedes Benz”, i cili edhe pse ka devijuar, nuk ka mundur të shmangë përplasjen e motorit në të cilin udhëtonin dy persona. Pas përplasjes, automjeti ka përfunduar tek një minimarket. Për pasojë janë plagosur rëndë Xhevahir Hoxhallari, 58 vjeç, dhe Entela Lelaj, 26 vjeçe, që ndodheshin në motor. Fatkeqësisht Hoxhallari ndërroi jetë më pas në spital, ndërsa Lelaj, sipas mjekëve ishte jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje të rëndë në spital ishte dhe drejtuesi i makinës, Bardhyl Xh., ndërsa shitësja e minimarketit kishte marrë vetëm disa lëndime të lehta. E rëndë paraqitej gjendja edhe për Mahmut Tafnurjan, 60-vjeçari, i cili u aksidentua pranë rreth-rrotullimit të doganës, teksa kërkonte të kalonte rrugën nga njëri krah në tjetrin. Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit. Ndërsa një tjetër aksident pranë rreth-rrotullimit të doganës, ka shënuar një tjetër kalimtar të aksidentuar, por ky me dëmtime të lehta. Ndërsa në dalje të autostradës Tiranë-Vorë, në kilometrin e parë, drejtuesi i një automjeti tip “Peugot 308” me targa të Durrësit në gjendje të dehur është bërë protagonist i një tjetër aksidenti. Pasi është përplasur me bordurën ndarëse, automjeti ka dalë në korsinë tjetër ku ka përplasur një tjetër mjet “Benz E Class”. Fatmirësisht nga aksidenti ka pasur vetëm dy të lënduar.
Fier
Kurse në Fier rezulton se ka një të vdekur, një në rrezik serioz për jetën dhe një tjetër i plagosur rëndë. Ky ka qenë bilanci i një aksidenti të rëndë automobilistik i ndodhur dje në mbrëmje rreth orës 19:00 në aksin e rrugës automobilistike Fier-Patos, në vendin e quajtur “varrezat”. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, të cilat sqaruan se aksidenti ka marrë jetën e një personi dhe është plagosur rëndë një tjetër. Nga burime pranë vendngjarjes mësohet se ka qenë një fuoristradë me targa AA012BX dhe një autoveturë me targa greke INH 7746, që janë përplasur me njëra-tjetrën teksa po udhëtonin me shpejtësi të madhe. Sipas të njëjtave burime, personi që ka ndërruar jetë, i identifikuar paraprakisht me emrin Neldis Tallaxhiu nga qyteti i Patosit, ka pësuar vdekje të menjëhershme për shkak të goditjes së fortë, si pasojë e së cilës i ka ndodhur hemorragji e brendshme. Ndërkaq, edhe dy personat e tjerë të plagosur, të identifikuar me emrat Sajmir Hoxha dhe Fatos Avdia, kanë marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit e në kokë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve që çuan në këtë aksident, që paraprakisht, dyshohet të jetë shkaktuar nga drejtimi i mjeteve jashtë normave të lejuara.
Gjirokastër
Ndërsa në Gjirokastër ka ndodhur një tjetër aksident i rëndë, nga i cili janë plagosur gjashtë persona. Burimet zyrtare nga policia e Gjirokastrës thanë se rreth orës 18.00, në vendin e quajtur rruga nacionale Gjirokastër-Kakavijë, afër fshatit Grapsh, mjeti “Volkswagen Bora”, me targë KAZ 5608, që drejtohej nga Lulzim Toska, i cili po udhëtonte për në Greqi, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Sipas policisë, në mjet, bashkë me drejtuesin, udhëtonin gruaja, dy fëmijët e tyre, vëllai i shoferit dhe një i afërm tjetër. Burimet policore thanë se menjëherë iu dha ndihma e parë të plagosurve, të cilët janë Xhemile Toska, 30 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj, Megisa 4-vjeçare dhe Sagrieli 2-vjeçar, Razie Rama, 65 vjeçe dhe burri i saj, Hasan Rama, 69 vjeç. I plagosur ka mbetur edhe Elton Toska, 31 vjeç, i cili është i lënduar më lehtë. Burimet nga spitali thanë se pesë nga të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që Razie Rama është plagosur më rëndë dhe ndodhet në reanimacion.
Lezhë
Ndërkaq një tjetër aksident ka ndodhur edhe në aksin Lezhë-Laç, ku nga përplasja e dy automjeteve kanë mbetur të plagosur shtatë persona. Policia tha se të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, rreth orës 18:30, në hyrje të urës mbi lumin Mat janë përplasur dy mjete dhe për pasojë kanë marrë plagë shtatë pasagjerët që ishin në bordin e tyre. Sipas mjekëve të spitalit, njëri prej të plagosurve është dërguar drejt Tiranës, pasi gjendja e tij shëndetësore është më e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së qarkullimit rrugor, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Nga veprimet e para hetimore mësohet se parakalimi i gabuar ka qenë dhe shkaku i përplasjes së mjeteve. Re. Rre.

