Këtë javë është aktivizuar për 90 minuta me Gençlerbirligin në fitoren e thellë 7-0 ndaj Dersimsporit


Mesfushori duket se ka lënë pas “mallkimin” e dëmtimeve të shumta


Altin Manallari


Debatik Curri do të jetë rikthimi i madh për Kombëtaren e Shqipërisë në prag të dy ndeshjeve eliminatore të tetorit ndaj Sllovenisë dhe Islandës. Mesfushori kosovar, i cili në përfaqësuese aktivizohet edhe në qendër të mbrojtjes së bashku me Lorik Canën, duket se tashmë ka lënë pas “mallkimin” e dëmtimeve të njëpasnjëshme dhe ka arritur formën e tij të mirë. Ndaj, më në fund, është i disponueshëm për trajnerin Xhani De Biazi.


Fati i keq i dëmtimeve duket se është hedhur prapa shpine tashmë. Futbollisti nga Prishtina kaloi nga ukrainasit e Vorskla Poltavës tek ekipi i Superligës turke, Gençlerbirligi. Me Vorsklën ai ishte aktivizuar në 94 ndeshje në periudhën 5-vjeçare (2005-2010), duke shënuar 19 gola. Në fakt, transferimi te Gençlerbirligi, nuk i ka ofruar mesfushorit nga Kosova një karrierë të qetë. Kalimi në klubin turk u bë në verën e vitit 2010. Por pak muaj më vonë, në shtator, kur kampionati turk sapo kishte filluar, ai pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentet e këmbës së djathtë, i cili e la jashtë fushave të lojës për një kohë të gjatë. Një vit më pas, në shtator të 2011-s, Curri u dëmtua sërish gjatë aktivizimit me Kombëtaren shqiptare në sfidën kundër Francës (1-2). Sikur të mos mjaftonte ky fakt, menjëherë pas rikthimit në fushë në muajin janar të 2012-s, kosovari u detyrua të dilte para kohe nga fusha në ndeshjen Gençlerbirligi-Bursaspor 2-2, për javën e 22-të të Superligës turke. Ishte minuta e 10, kur pas një dueli me një futbollist kundërshtar, Curri u detyrua të kërkonte ndërrim, pasi kishte pësuar një dëmtim në gju, i cili e ka mbajtur jashtë fushave të lojës deri në fillimin e këtij sezoni. Tashmë, qendërmbrojtësi prishtinas i Gençlerbirligit, Debatik Curri, e ka marrë veten pas dëmtimit në gju, që e kishte lënë disa muaj jashtë fushave. Dje ai kaloi testin e parë 90-minutësh, ku luajti titullar në ndeshjen, që skuadra e tij e fitoi në fushën e Dersimsporit, me rezultat të thellë 7-0. Gjatë këtyre javëve, Curri ka shënuar disa aktivizime për pak minuta në kampionat në takimet e fundit dhe kjo ishte paraqitja e tij e plotë në një ndeshje. Të gjitha gjasat janë që ai do të luajë titullar edhe në ndeshjen e ardhshme në kampionatin turk, që Gençlerbirligi do të zhvillojë në shtëpi ndaj Kayserisporin. Rikthimi është një lajm i mirë për trajnerin e Kombëtares kuqezi, De Biazi, i cili e sheh si një përforcim të nevojshëm për mbrojtjen në këtë periudhë të ndeshjeve eliminatore për Botërorin Brazil 2014. Sikurse është mësuar nga burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, tekniku italian i Shqipërisë e ka planifikuar në grupin e lojtarëve, që ai do të ketë në dispozicion në ditët e para të muajit tetor për dy ndeshjet eliminatore të Grupit E, kundër Sllovenisë më 12 tetor dhe kundër Suedisë më 16 tetor. Tashmë ai e ka marrë ftesën për t’iu bashkuar Kombëtares, fanellën e së cilës e ka veshur 31 herë dhe ka shënuar vetëm një gol, atë kundër Holandës në shtëpinë e tulipanëve. Curri pritet që të rreshtohet në qendrën e mbrojtjes kuqezi, aty ku janë vërejtur probleme në dy ndeshjet e para ndaj Qipros dhe Zvicrës.