PS i qëndron kushtit për Fierin, Topalli nuk e hedh për votim ligjin “Për Gjykatën e Lartë” 


BLEDAR HOTI


Kushti i Partisë Socialiste për zbatimin e vendimeve të Qarkut të Fierit detyron mazhorancën të mos e hedhë për votim draftin për Gjykatën e Lartë. “Unë nuk e hedh për votim ligjin ‘Për Gjykatën e Lartë’, derisa t’i mbushet mendja PS-së, do ta paraqes në seancë”, tha kryeparlamentarja Topalli, pas pesë orë diskutimesh midis mazhorancës dhe opozitës. Të 28 diskutimet e socialistëve dhe demokratëve u fokusuan te bllokimi i Qarkut të Fierit dhe moszbatimi i vendimeve të gjykatave. “Janë dërguar në Bruksel vendimet ende të pazbatuara të gjykatave për çështjen e Fierit, si shembulli më flagrant i kapjes së drejtësisë nga pushteti dhe si çështje që lidhet drejtpërsëdrejti me integrimin. Kusht tjetër është liria, të drejtat e njeriut. 56 burrave u ka dhënë populli një mandat dhe ti u thua jo”, tha kreu i grupit të PS-së, Ruçi. Më tej, kreu i grupit të PS-së theksoi se “nuk u kërkua as lëmoshë dhe as pazar. Iu kërkuam një të drejtë që e jep Kushtetuta, zbatojeni atë. Është një e drejtë që e jep ligji, zbatojeni. Zbatoni të drejtën administrative dhe të drejtën e marrë nga drejtësia, është një kusht dhe prioritet nga Brukseli që t’i jepet drejtësisë integritet. Kjo nuk bëhet duke u kapur nga politika, duke zhvilluar kulturën e pandëshkueshmërisë”. Por kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi, tha se opozita po kërkon pazare në këmbim të integrimit e për këtë, fajësoi liderin e PS-së, Edi Rama. “Ti nuk mund t’u thuash sot shqiptarëve dhe vendeve të BE-së që ne nuk kemi ndërmend të shkojmë në Bruksel, pa zgjidhur problemin e Bubullimës dhe të Libofshës, me gjithë respektin që kam për këto treva. Sepse s’ta pranojnë as ata vetë, që banojnë atje. Ky është rasti më fatkeq, kur edhe pazari është i ulët, edhe preteksti është qesharak. Ndaj do ta ftoja Edi Ramën, që kur nuk është i zoti të sajojë kushte për të qenë dhe të gjejë pretekste inteligjente, të paktën të pyesë Ben Blushin a ndonjë tjetër, se mund t’ia lehtësojnë detyrën. Madje edhe ish-kolegu Andis Harasani mund t’i jepte një zgjidhje shumë më të mençur, megjithëse është larguar nga grupi i PS-së”, tha Patozi. Në diskutimet e stërgjata pati dhe replika mes deputetit socialist Balla dhe atij demokrat Alibeaj. “Çështja e ligjit të Gjykatës së Lartë nuk ka të bëjë me çështjen e kryetarit të Qarkut të Fierit. Ju keni për qëllim një pazar, doni të kapni copëza nga Gjykata Kushtetuese, nga Gjykata e Lartë, doni të merrni Prokurorinë. Ju tregoheni lakuriq para moralit të vendit. Ligjin e Gjykatës së Lartë vetë e kërkuat. Ju doni një pazar tjetër, doni Këshillin e Qarkut të Fierit. Ju nuk e pranoni votën e qytetarëve të Fierit”, tha Alibeaj. Në replikë, deputeti socialist Taulant Balla tha se “Alibeaj nuk foli si deputet i Fierit, por si djali i Ali Beut, një be mund të flasë si ty, ndërsa populli i Fierit është shprehur me votë edhe më 8 maj, duke e dhënë vullnetin për këshillin e Qarkut të Fierit, asgjë nuk do ta ndryshojë në sistemin e drejtësisë nëse miratohet ligji”. Në seancën e djeshme nuk mori pjesë në votim Kryeministri Sali Berisha. Në diskutimin për Gjykatën e Lartë nuk mori pjesë as kreu i LSI-së, Ilir Meta. Opozita dha votën e saj për disa ligje. Ligji për Avokatinë u votua me 124 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim. Socialistët abstenuan unanimisht në ligjin “Për organizimin e funksionimin e administratës shtetërore”. Ai mori 71 vota pro dhe 53 abstenime. Ndërsa ligji për QKR-në u votua edhe me “bekimin” e opozitës.