Shfaqja 


Do të jetë Spiro Duni regjisori që do të vërë në skenë dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, shkruar nga Bashkim Kozeli dhe shpallur fituese nga konkursi që Ministria e Kulturës realizoi me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Pse pikërisht Duni? Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami thekson se u diskutuan disa emra regjisorësh, por në mirëkuptim me TK-në dhe autorin, u vendos që të ishte Spiro Duni. Fakti nëse regjisorët paraqitën platformë për këtë dramë, Skrami thotë se Kozeli e kishte paraqitur edhe më parë këtë vepër pranë teatrit dhe regjisorët ishin të njohur me të. “Ëndrra e Ismail Qemalit” u shpall fituese nga juria e përbërë nga regjisori Mihal Luarasi, në rolin e kryetarit, aktorja Yllka Mujo, aktori Ndriçim Xhepa, dramaturgu Bashkim Hoxha, kritiku i teatrit Josif Papagjoni, aktorja Sesilia Plasari dhe shkrimtari Bastri Çapriqi, të cilët morën në shqyrtim 31 drama. Sipas Bashkim Kozelit, kjo dramë, historike dhe realiste, ka shumë personazhe që janë kryesisht figura historike: Ismail Qemali, Faik Konica, Esat Toptani, Isa Boletini dhe karaktere të tjerë. Është një dramë historike dhe realiste.


Ngjarjet vendosen në disa kryeqytete të Europës, më 1900, kur Ismail Qemali braktis gjithë detyrat e mëdha që kishte në Perandorinë Osmane dhe shkon në kryeqytetet e Europës për çështjen shqiptare. Ëndrra e tij ishte pavarësia, por autori nuk merret me vitin 1912, por shkon nga 1900 deri më 1908. Shfaqja do të përfaqësojë Teatrin Kombëtar në Festivalin e Dramës Shqipe që do të mbahet në datat 10-24 nëntor.