Deklarata
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, doli dje në një konferencë për shtyp, duke u shprehur se do të hetohet mënyra e nxjerrjes së dokumenteve sekrete të SHIU-t nga MB-ja. “Në fakt këto dokumente Sigurimi i Shtetit mesa duket i posedoi vonë, e kam fjalën më vonë se sa takimi dhe mbledhja që patëm në Komisionin Parlamentar të Sigurisë dhe kjo është dhe arsyeja që po them. Po, këto janë mbeturinat e Sigurimit të Shtetit, këto janë mbeturina të mendësive të Sigurimit të Shtetit dhe janë mbeturina që ende ekzistojnë në të gjithë aparatin tonë administrativ dhe burokratik. E rëndësishme është të thuhet se PS po e përdor sulmin ndaj SHIU-t. Ndaj nuk mund të sulmohet për pazaret që i dështuan z. Rama gjatë verës që shkoi. Ripërsëritja e tyre më duket se do të bëjë pazaret e reja të Ramës, por Rama dhe PS-ja do të bëjë mirë të përgjigjet për bllokimin e reformës dhe të gjejë fajtorët e SHIU-t, aty ku po i thërret drejtësia”, tha Imami në konferencën për shtyp.
Nënkryetari i grupit të PS
Braçe: Ministri armatosi SHIU-n, ai është një fatkeqësi kombëtare
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Erjon Braçe akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se me anë të dy urdhrave dhe një autorizimi, që mbajnë firmën e tij ka kërkuar blerjen e armëve dhe pajisjeve për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. “Shihni datat e urdhrave, për katër muaj e gjysmë nga urdhri i parë i ministrit Imami nuk ishte blerë gjë; brenda një dite, 19 janar 2011, 2 ditë para 21 janarit ndryshohet urdhri dhe urdhërohet të blihen menjëherë pajisjet. E gjithë sasia e blerë është realizuar, pa plotësuar kërkesat e ligjit, të paktën në rastin e pajisjeve xheniere dhe speciale nuk ka licencë nga AKSHE. Armatosja e SHIU-t me automatikë dhe snajper është në kundërshtim me ligjin, misionin, detyrat dhe armatimin e sanksionuar ligjërisht për SHIU-n, mbledhje dhe analizim i informacioneve, jo veprime operacionale luftarake”, tha Braçe.