Flet ish-shefi i SHISH: I druhem një dhune psikologjike në zgjedhje


Buxhetet – Tashmë që qeveria po vendos njerëz të besuar në krye të institucioneve të rëndësishme shtetërore, “qeset e buxhetit” të shtetit janë hapur më shumë kundrejt tyre.


Alarmi – Fatos Klosi deklaroi se kreu i ri i SHISH, Visho Ajazi Lika, ka qenë i përzier në procesin e manipulimit të zgjedhjeve në vitin 1996. Ish-kreu i SHISH deklaroi se këtë e kishte kuptuar pasi Lika kishte ikur nga puna në këtë institucion dhe ai kishte pasur mundësi të kontrollonte dokumentacionin.


Fatjona Mejdini


Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, deklaroi dje se emri i Prokurorit të ri të Përgjithshëm do të ishte garancia kryesore nëse ky institucion i rëndësishëm do keqpërdorej apo jo në lidhje me përgjimet. Në një intervistë për “Shqip”, profesori i fizikës, thekson se nuk duhet konsideruar gjithmonë si negative shtimi i kompetencave të institucioneve hetimore, por është e nevojshme që njerëzit që emërohen në këto poste të kenë integritet dhe të jenë profesionalistë. Në këtë kuadër, ish-drejtuesi i SHISH-it deklaroi se ka shumë rëndësi të shihet sesa i bindur do të jetë Prokurori i ri ndaj atyre që e kanë zgjedhur. Duke folur për rolin negativ që mund të ketë një institucion si SHISH në procesin zgjedhor, Klosi theksoi se ai i trembej dhunës psikologjike që përfaqësues të këtij institucioni mund të ushtonin te qytetarët. Sipas tij, shtesa e të pavendosurve ose ajo që jeton në zonat rurale mund të ndikohet nga personi dhe mund të mos bëhet pjesë e procesit të votimit.


Z. Klosi, si e shikoni faktin se qeveria, nëpërmjet amendimit të ligjit për përgjimet, i jep të drejtën vetes të zgjerojë gamën e informacionit që përgjohet, ku nga telekomunikacioni kalohet te komunikimi elektronik. A është e udhës të ndodhë kjo?


Sot, nuk ka asnjë diferencë midis telekomunikacionit dhe komunikimit elektronik, kështu që nuk ka pse na shqetëson ky fakt.


Në fakt, amendamentet e bëra për ligjin për përgjimet nëpërmjet komunikimit elektronik, Prokurorit të Përgjithshëm i janë dhënë kompetenca më të mëdha se sa ka pasur për sa i përket nisjes së përgjimeve. A e konsideroni normale këtë situatë?


Prokurori i Përgjithshëm, për pozicionin kushtetues që ka, nuk përbën ndonjë rrezik për njerëzit normalë. Në konditat e një krimi në rritje dhe ashpërsimi të tij, kompetencat e pretenduara mund të ndihmojnë punën e Prokurorisë. Por edhe këtu problemi i vërtetë është se kush do të jetë Prokurori i ri dhe sa i bindur do të jetë ai ndaj atyre që do ta zgjedhin.


Si i vlerësoni akuzat e opozitës, ndaj Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe pajisjes së këtij institucioni me armë të vogla dhe automatike si dhe pajisje të shumta përgjimi?


Në qoftë se këto akuza pasqyrojnë të vërtetën, ky është një skandal më vete dhe absolutisht i pajustifikueshëm. Me sa duket, Shërbimi Informativ i Ushtrisë është konsideruar një linjë e “domosdoshme”, kur akoma SHIK dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk ishin “të besuara”.


Ju keni folur shpesh për përdorimin e SHIK-ut të Bashkim Gazidedes në zgjedhjet e vitit 1996. Më konkretisht, si mund ta përdorë politika këtë institucion për zgjedhjet parlamentare dhe manipulimin e rezultatit të tyre?


Se ç’është bërë e dimë, se ç’do bëjnë, do ta shohim. Natyrisht, pas kaq uji të rrjedhur, nuk do të jetë aq e lehtë sa ç’ishte në vitin 1996. Megjithatë, dhe “eksperienca” është më e madhe dhe mjetet do të sofistikohen. I trembem shumë dhunës psikologjike, që mund të ushtrohet mbi të pavendosurit apo të lëkundurit, për të mos dalë në votime, sidomos në zonat rurale, gjë që dihet se është në favor të dhunuesve.