Opozita


Ish-kryeministri: Edhe titulli i ligjit përforcon shqetësimet


Deputeti socialist, Pandeli Majko, theksoi dje se qeveria po ligjëron përgjimin e të gjitha llojeve të komunikimit që përdorin qytetarët. Reagimi i ish-kryeministrit erdhi pasi qeveria miratoi një draft ligjor, i cili jo vetëm që zgjeron gamën e informacionit që do të kontrollohet nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe agjencitë e tjera, por i shton dhe Prokurorisë së Përgjithshme të drejtën për të filluar përgjimin pa vendim gjykate. “Qeveria miratoi dje, sipas medias, ndryshimet në ligjin ‘Për përgjimin e telekomunikimeve’. Ndryshon edhe titulli i ligjit, i cili bëhet ‘Për përgjimin e ligjshëm të komunikimeve elektronike’….Me këto ndryshime ligjore do të survejohet e-mail-i, ‘Facebook’, ‘Twitter’ dhe të gjitha shkëmbimet elektronike. Mos u mërzisni! E rëndësishme është që më në fund kjo ‘punë’ do bëhet me ligj… që siç thotë titulli i tij i ndryshuar, e bën atë ‘të ligjshëm’”, deklaroi Majko, duke shfaqur shqetësim në lidhje me këtë situatë. Sipas draftit të miratuar dy ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm mund të urdhërojë përgjime telefonike në disa raste specifike, pa marrë më parë aprovimin e gjykatave. Drafti i miratuar në Këshillin e Ministrave ndryshoi dhe termat që përdoren për sa i përket materialit që përgjohet, duke rritur dhe gamën e informacionit personal i cili kalon nën kontroll. Me këto ndryshime termash, tashmë pritet që për përgjim të mos kalojnë vetëm telefonatat dhe mesazhet telefonike, por edhe e-mail-et dhe format e tjera të komunikimit përmes internetit. “Kudo në ligj termat ‘…telekomunikacion…’ dhe ‘… telekomunikim…’, zëvendësohen me shprehjen ‘…komunikim elektronik…’. Kudo në ligj shprehja ‘…operator/ët e telekomunikacioneve…’ zëvendësohet me ‘… sipërmarrës/it e komunikimeve elektronike…’”, thekson drafti i cili mori miratimin e ministrave të kabinetit “Berisha”. Po kështu relacioni që shoqëron këtë draft thekson se me anë të këtij projektligji synohet unifikimi i terminologjisë, duke reflektuar dhe zhvillimet teknologjike në fushën e telekomunikacioneve.