Part-time, regjistrimet deri më 10 tetor

Korrespondenca, kriteret dhe dokumentet për të fituar një të drejtë studimi

Lorina Mixha

Të gjithë ata maturantë që nuk u shpallën fitues në një fakultet apo në degët e preferuara kanë edhe një shans të dytë, të ndjekin studimet part-time. Sistemi i korrespondencës apo siç njihet ndryshe me kohë të pjesshme, ofron gati të njëjtat degë dhe fakultete, si dhe në sistemin me kohë të plotë.

Konkretisht universitetet kanë çelur regjistrimet për part-time, dhe sipas një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, këto regjistrime do të mbyllen deri më datën 10 tetor.

Fituesit do të shpallen më datën 15 tetor, më pas, sipas sekretarive të universiteteve do të bëhet edhe rishpërndarja e kuotave bosh.

Kriteret për pranime

Kushti kryesor për të fituar një të drejtë studimi me korrespondencë është mesatarja e tre apo katër viteve të shkollës së mesme. Më pas të favorizuar do të jenë edhe maturantët që nuk janë shpallur fitues në asnjë degë, në sistemin me kohë të plotë, pavarësisht provimeve të dhëna të maturës shtetërore.

Mesataren më të lartë, në shumicën e rasteve e kërkojnë fakultete si Ekonomiku, Juridiku, Shkencat Sociale. Degët histori-gjeografi dhe gjuhë-letërsi kërkojnë një mesatare më të ulët, duke nisur nga 8.00. Ndërkohë që me mesatare më të ulët kandidatët që kërkojnë një të drejtë studimi, kanë shanse për të fituar vetëm në shkencat e natyrës.

Regjistrimet janë hapur ndërkohë, mbarojnë më 10 tetor. Pas zbatimit të afatit dhe zgjedhjes së degës në varësi të mesatares, kandidatët duhet të plotësojnë dosjen e dokumentacionit.

Procedura

Në dosjen e dokumentacionit, secili kandidat duhet të ketë fotokopje të noterizuar të diplomës së maturës shtetërore, si dhe bashkëngjitur certifikatën e notave. Kërkohet karta e identitetit ose pasaporta dhe fotokopje të tyre. Dokumenti i identifikimit paraqitet për t’u parë, ndërkohë që fotokopja mbetet brenda dosjes që do të dorëzohet për regjistrim.

Kërkohen dy fotografi, një mandatarkëtim i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar në Postën Shqiptare.

Pjesë e procedurës është edhe deklarata e kandidatit se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik

Kur kandidati s’ka diplomë të maturës, ose dëftesë, të paraqesë dublikatë të saj. Të gjithë ata që kërkojnë të studiojnë në sistemin e korrespondencës, por nuk janë brez i maturës shtetërore të këtij viti, duhet të dorëzojnë një vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Provimeve që është kalues në provimet me zgjedhje.

Sakaq, të gjitha kuotat që do të mbeten të paplotësuara, do të rishpërndahen të paktën deri në dy faza.

Mësimi për sistemin part-time pritet të nisë në nëntor dhe të mos vonohet siç ka ndodhur me vitet e kaluara kur studentët me kohë të pjesshme kanë nisur vitin në semestrin e dytë, në janar.

 

Dokumente

Fotokopje e noterizuar e diplomës së maturës shtetërore dhe certifikatës së notave

Karta e identitetit ose pasaporta, si dhe fotokopje të tyre, fotokopja mbahet, origjinali shërben vetëm për t’u paraqitur

 

Dy fotografi

Mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar në Postën Shqiptare

Deklarata e kandidatit se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik

Kur kandidati nuk ka diplomë të maturës, ose dëftesë, të paraqesë dublikatë të saj

Matura para 2012, vërtetim nga AKP që është kalues në provimet me zgjedhje

Autor te 28 Shtator 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry