Debate të ashpra Rusmali-Gjiknuri. Përjashtohet deputeti i PS


BLEDAR HOTI


Mazhoranca kërkon të fusë me procedurë ekstraligjore zgjedhjen e kreut të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një mbledhje e thirrur gjoja për zgjedhjen e kandidatëve të PBDNJ-së dhe LSI-së për anëtarë të KQZ-së, PD-ja kishte përgatitur skenarin për të futur në procedurë edhe zgjedhjen e pretendentëve për kreun e KQZ-së. Mbledhja e Komisionit të Ligjeve u zhvillua në një nga ambientet e godinës së seancave plenare. Paralelisht me diskutimet në seancë, Komisioni i Ligjeve do të shqyrtonte katër emrat e PBDNJ-së dhe LSI-së për dy vende vakante në KQZ. Ato janë Jani Jani dhe Spiro Kuro të PBDNJ-së, si dhe Ilirjan Muho dhe Arben Shkëmbi të LSI-së. Pas kalimit të këtyre katër emrave për t’u votuar në seancën e djeshme, Rusmali ka hedhur në tavolinë  idenë e përzgjedhjes së emrave për kreun e KQZ-së. Paraprakisht anëtarët e Komisionit të Ligjeve u njohën zyrtarisht me 18 emrat, për të përzgjedhur katër emrat për t’u votuar në seancë. Fillimisht socialistët nuk e kuptuan se çfarë po synonte Rusmali, por ndërhyrja e deputetit Damian Gjiknuri ka nxjerrë në pah tentativën e mazhorancës për të votuar në mënyrë joligjore kandidatët për kreun e KQZ-së. “Nuk mund të zhvillohet sot votimi i kreut të KQZ-së, ligji e përcakton qartë se duhet të zhvillohen seancat dëgjimore më parë, t’i njohim njëherë këta persona se cilët janë”, u shpreh Gjiknuri. Në këtë mënyrë nisi dhe përplasja mes dy ish-bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. “Ky është kodi që ke bërë ti, është Kodi i Damianit, ju i keni shkelur të gjitha afatet për KQZ-në, prandaj ne duhet të përzgjedhim katër emra për kryetarin e KQZ-së”, replikoi Rusmali. Më pas këtu nisën dhe debatet e ashpra mes Rusmalit dhe Gjiknurit, ku kryetari i komisionit kërkoi ta nxirrte jashtë socialistin, duke e paralajmëruar për penalizim. Sipas burimeve mësohet se mazhoranca i kishte përzgjedhur katër emrat, duke e detyruar opozitën të përzgjidhte vetëm dy emra. Lefteri Lleshi, Marsida Xhaferllari, Haki Mustafaj dhe Endrit Reka janë emrat e përzgjedhur nga PD-ja. Por këto nuk u hodhën për diskutim, pasi socialistët nuk ishin dakord, duke kërkuar zbatimin e ligjit, ku fillimisht e ka të përcaktuar se votimi i kreut të KQZ-së bëhet 10 ditë pas zgjedhjes së 6 anëtarëve të këtij institucioni, si dhe kërkon një procedurë specifike, siç është ajo e zhvillimit të seancave dëgjimore.


 


Përjashtimi i Gjiknurit


Në mënyrë të beftë një grup deputetësh të PD-së, anëtarë të Komisionit të Ligjeve kanë firmosur një kërkesë ndaj byrosë parlamentare për ndëshkimin e socialistit Damian Gjiknuri. Propozimi i PD-së ishte që Gjiknuri të ndëshkohej për dy javë, por Byroja, që drejtohet nga Topalli e “mëshiroi” për një javë. “Deputeti Damian Gjiknuri kërkoi tre herë falje përpara Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë. Pas kërkesës së faljes nga deputeti Gjiknuri, megjithëse grupi i deputetëve të Komisionit të Ligjeve kishte kërkuar që deputeti Gjiknuri të përjashtohej 2 javë nga punimet e komisioneve parlamentare, Kryetarja e Kuvendit dhe Byroja vendosën zbutjen e masës disiplinore të propozuar, duke përjashtuar deputetin Damian Gjiknuri për një javë nga punimet e komisioneve parlamentare”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetit socialist, i cili e cilësoi vendimin e paligjshëm. “Kjo mënyrë e njëanshme dhe e beftë nga ana jonë u kundërshtua, pasi seanca e sotme nuk mund të realizohej për kryetarin e KQZ-së, pasi PS do kohë. Ajo është një seancë e veçantë dhe unë propozova që të caktojmë një datë në Komisionin e Ligjeve, për të organizuar shqyrtimin e dokumentacionit edhe seancën dëgjimore për këta kandidatë, pastaj të procedonim me përzgjedhjen dhe t’i kalohej seancës tjetër votimi i kryetarit të KQZ. Kjo është e vërteta. Nga ana e tyre u kundërshtua, u insistua që ta përfundonin sot dhe për ne kjo është e papranueshme e paligjshme, e njëanshme dhe e rrezikshme, sepse hedh që në fillim hije të forta dyshimi mbi procedurën e zgjedhjes së kreut të KQZ-së”, tha Gjiknuri. Në një prononcim për gazetën “Shqip” për njoftimin e zyrës së Kuvendit, Gjiknuri u shpreh se “ai është një mashtrim i hapur. Unë nuk i kam kërkuar falje në mënyrë absolute. Në këshill kam thënë se mbledhja ishte e paligjshme dhe se s’ka asnjë akt të paligjshëm nga unë. Zbatoni Kodin Zgjedhor dhe s’kam asnjë merak për dënimin tim. E keni paragjykuar këtë vendim, pasi Rusmali ka vënë kushte: o unë, ose Gjiknuri. Publikoni rekorde po kanë këllqe për faljen”. Mësohet se Rusmali ka vendosur si kusht ndëshkimin e Gjiknurit, duke u shprehur se “o ikën ai, ose iki unë nga komisioni”.


 


LSI dhe PBDNJ – Dy partitë kanë paraqitur emrat e Ilirjan Muhos, Arben Shkëmbit, Jani Janit dhe të Spiro Kuros. Këta emra, sipas procedurës, kalohen në seancë për votim dhe deputetët përzgjedhin dy anëtarë të KQZ


Emrat e PD-së – Mësohet se mazhoranca ka përgatitur katër emrat nga 18 konkurrentë për kreun e KQZ-së. Të përzgjedhurit janë Lefteri Lleshi, Marsida Xhaferllarri, Haki Mustafaj dhe Endrit Reka


Gjiknuri – Deputeti i PS-së në një prononcim për gazetën “Shqip” hodhi poshtë në mënyrë kategorike se ka kërkuar falje në mbledhjen e Byrosë, nga ku mori ndëshkimin nga Topalli dhe mazhoranca


 


 


Debati në mbledhjen e komisionit


Ilir Rusmali: Ky është kodi që ke bërë ti, është Kodi i Damianit, ju i keni shkelur të gjitha afatet për KQZ-në, prandaj ne duhet të përzgjedhim katër emra për kryetarin e KQZ-së.


Damian Gjiknuri: Çfarë je duke bërë se s’po marrim vesh, afati kohor nuk e lejon zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së njëherësh me anëtarët e tjerë. Ne sot morëm listën zyrtare me emra. Pastaj të lutem shumë mos m’u drejto me atë shprehje “kodi i Damianit”, nuk e kam bërë unë atë ligj, ai është bërë e miratuar me konsensus. Mos m’u drejto më me atë mënyrë se ti nuk ma di mendjen time, se çfarë mund të bëj unë! Zoti kryetar ju duhet ta dini që shqyrtimi i listës për kryetarin KQZ është një proces i veçantë dhe nuk bëhet në po të njëjtën seancë me shqyrtimin e anëtarëve.


Ilir Rusmali: Procedura e zgjedhjes së kryetarëve bëhet pas përzgjedhjes dhe shqyrtimit të kandidaturave për kryetarin.


Damian Gjiknuri: Zotëri, ti dje (të mërkurën)ke shpallur emrat e kandidatëve për kreun e KQZ. Ne kërkojmë që më parë të njihemi me të gjithë emrat që kanë dorëzuar dosjet në Kuvend. Ne duhet të njihemi me CV e tyre. Ndërkohë që për këtë mbledhje ju na lajmëroni vetëm sot në mëngjes dhe na keni vënë përpara listën e tyre.


Ilir Rusmali: Të fortin e komisionit mos na e bëj këtu ti Damian. Këtë komision e drejtoj unë.


Damian Gjiknuri: Nuk vendos dot ti për këtë se është ligji para teje. Të lutem mbaj rregull.


Ilir Rusmali: Zotëri, sipas Kodit Zgjedhor është shkelur afati për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ, ndaj bëra dhe unë këtë kërkesë. Në qoftë se ju thoni se për ligjet me 3/5 nuk do të jepni votën dilni dhe thojeni jashtë, por jo këtu. Këtu nuk ua lejoj. Këtë hilen tuaj nuk e pranojmë. Ju lutem bëjini thirrje seriozitetit tuaj politik. Damiani ka të ardhmen e vet te ky komision.


Damian Gjiknuri: Kryetar, po ti ku e ke të varur karrierën dhe jetën tënde, apo te komisioni i Jozefinës?


Ilir Rusmali: Damian, nuk të lejoj të flasësh në këtë mënyrë.


Damian Gjiknuri: Edhe ti mbaje gojën, je rrahur e do rrihesh prapë. Po hë se kështu e ke ti. Ma di kokën mua ti kështu që mos fol shumë me ironi.


Ilir Rusmali: Të kërkoj të largohesh nga mbledhja.


Damian Gjiknuri: Nuk dua të largohem.


Ilir Rusmali: Të kërkoj të largohesh menjëherë, do fillojë procedim disiplinor ndaj teje


Damian Gjiknuri: Seriozisht e ke që do më largosh? Si kështu, fizikisht e ke apo në mënyra të tjera?


Ilir Rusmali: Po, dhe fizikisht e kam. Ndaj teje kam filluar procedurën disiplinore, ndaj largohuni nga mbledhja.


Damian Gjiknuri: E po ty shyqyr që të kanë dhënë atë autoritet që ke, por nuk di ta mbash. Po shkel ligjin.