Berat, Armando Kocilera goditet në kokë në automjetin e tij. shoqërohen 6 persona


Një ditë pasi denoncoi një grabitje në supermarketin e tij në lagjen “Çlirim” në qytetin e Beratit, pronari i supermarketit është plagosur me armë në kokë dhe gjendja e tij është kritike. I dëmtuari është shtetasi Armando Kocilera, i cili paraditen e djeshme, rreth orës 11:30, u qëllua nga disa persona. Banorët e zonës i kanë dhënë ndihmën e parë dhe e kanë dërguar në spital, ndërkohë u shoqëruan personat e pranishëm ne supermarket për të dhënë shpjegime. Policia po heton për lidhje mes autorëve të grabitjes së ndodhur një ditë më parë dhe plagosjes.


Mësohet se 30-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, ndërsa ndodhej brenda në makinën e tij. Policia ka shoqëruar disa të dyshuar si të përfshirë në ngjarje, por ende nuk ka bërë të ditur emrat e tyre. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 të paradites së djeshme. Një telefonatë e mbërritur në sallën operative të Policisë së Beratit ka njoftuar se një person është parë i gjakosur pranë një automjeti. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të policisë, ndërsa nga të dhënat është konfirmuar se 30-vjeçari mësohet se është gjetur i qëlluar me armë zjarri, tip pistoletë në kokë.


I plagosuri është transportuar me shpejtësi për ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Beratit dhe pas konstatimit se i rrezikohej jeta u transportua me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.


Ndërkohë, në vendin e ngjarjes, ekspertë të policisë bllokuan mjetin në të cilin ndodhej 30-vjeçari, në momentin që është qëlluar. Gjashtë persona janë shoqëruar në Policinë e Beratit, dhe u morën në pyetje deri në orët e vona të ditës së djeshme, ndërsa policia thotë se midis të shoqëruesve është edhe i dyshuari kryesor.


30-vjeçari, 24 orë para se të plagosej denoncoi në polici vjedhjen e një dyqani ushqimor, denoncim për të cilin Policia e Beratit ndaloi dy të dyshuar. Nga hetimet e para dyshohet se plagosja mund të ketë lidhje me denoncimin e grabitjes, ndërsa nuk përjashtohen pistat e tjera të një grindje të çastit apo për një konflikt të mëparshëm mes tij dhe personave të dyshuar. M.Sinani