“Go west”


Prokuroria e Tiranës ka tërhequr nga gjykata dosjen ndaj Eliano Cankos, ish-oficeri i policisë së Rinasit, i arrestuar dhe i proceduar gjatë operacionit “Go west”, që vuri në pranga dhjetëra persona. Dosja ndaj tij u gjykua pothuajse nga të gjitha shkallët e gjyqësorit. Krimet e Rënda e dënuan me 10 vjet burg, Apeli i Krimeve të Rënda me 6, ndërsa Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit. I pandehuri, nëpërmjet avokatit të tij, e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi që ky proces duhet të rigjykohet në Gjykatën e Tiranës. Pas disa seancash, prokuroria vendosi që të tërheqë fashikujt e gjykimit, me arsyetimin për mbledhjen e provave të tjera. Tashmë merr fund odiseja e gjatë e proceseve gjyqësore për ish-oficerin e policisë në Rinas, i cili u arrestua dhe qëndroi në qeli disa vjet. Tashmë, Eljano Cenkos i lind e drejta që të kërkojë dëmshpërblim, pasi akuzat se trafikonte njerëz në shumë vende të Europës dhe SHBA-së janë rrëzuar.