Katër persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri ditën e sotme në zonën e ‘Porcelanit’, në kryeqytet pas një tentative vrasjeje. Sipas burimeve nga uniformat blu, 1 person i armatosur ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistolete mbi 4 persona të tjerë që ndodheshin në ambientet e një lokali të kësaj lagjeje të Tiranës, duke i lënë të plagosur. Pas këtij momenti, autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por policia njofton se ka bërë identifikimin e atentatorit dhe e ka shpallur atë në kërkim.


Ndërkohë, të plagosurit, të cilët janë identifikuar si shtetasit Bledi Haka, Shaqir Shtisi, Ervin Larku dhe Dritan Qello janë transportuar menjëherë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Ushtarak.


Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërsa paraprakisht mendohet se një konflikt banal i çastit mes autorit dhe personave të plagosur që ndodheshin në të njëjtin lokal, është bërë shkak i tentativës së vrasjes.


28 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)