Tiranë
Dy policë specialë dhe një shofer autobusi kanë marrë plagë në trup dhe në kokë për shkak të një sherri masiv të nisur prej pranë ish-pastiçerisë “Flora”. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, kur dy efektivë të skuadrës speciale të policisë së Tiranës ishin duke lëvizur me automjetin e tyre tip “BMW”. Gjatë lëvizjes, mjeti i tyre është fërkuar me autobusin që transporton punëtorët e një kompanie pijesh freskuese me targa TR 3720 F. Nga mjetet mësohet se janë shkëmbyer fjalë fyese dhe të shara. Automjeti BMW ka ndjekur autobusin deri në sheshin para ish-kafe “Flora”, ku ai po zbarkonte pasagjerët. Efektivët e operacioneve speciale kanë dalë nga mjeti i tyre dhe kanë nisur të debatojnë dhe të përfshihen në konfrontim fizik me shoferin e autobusit dhe persona të tjerë që gjendeshin me të. Nga grindja janë thyer thuajse të gjithë xhamat e autobusit. Në këto momente kanë ndërhyrë, edhe shoferi me fatorinon e autobusit të linjës Kamzë-Tiranë, me targa AA 855 BN, që ndodhej aty për të ndarë sherrit, pa e ditur se do të bëhej palë në sherr. Shoferi i autobusit të Kamzës ka marrë plagë të rënda nga goditjet në kokë, ndërsa në ato momente kanë mbërritur dhe shërbimet e Komisariatit nr. 3 të Tiranës. U është dashur të kalonin disa minuta që policët e komisariatit të mësonin që kishin të bënin edhe me kolegët e tyre të operacioneve speciale. Policia shoqëroi të gjitha palët, ndërsa pritet të ngrihet akuzë ndaj një efektivi të operacioneve speciale dhe drejtuesit të autobusit të kompanisë së pijeve freskuese.