Vendimi final, në dhjetor. Vokrri: Kemi marrë garanci se do të jetë një vendim pozitiv
Vetëm në 14 dhjetor do të mësohen modalitetet e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare për përfaqësuesen e futbollit të shtetit më të ri në Europë, Kosovës.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s diskutoi mbi këtë çështje në mbledhjen që u zhvillua në Zyrih, por pa marrë një vendim përfundimtar, i cili në këtë mënyrë shtyhet për në takimin e radhës të organit më të lartë vendimmarrës të qeverisë botërore të futbollit, i cili është programuar për t’u zhvilluar në mesin e muajit dhjetor në Tokio të Japonisë.
Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv ka qenë prezent edhe presidenti i Federatës së Futbollit Kosovar, Fadil Vokrri, i cili ka bërë të ditur se Kosova nuk duhet të shqetësohet për shtyrjen e një vendimi përfundimtar, pasi ka marrë garanci nga krerët më të lartë të FIFA-s, se ky vendim do të jetë në favor të Kosovës. Institucioni Botëror i Futbollit i ka lejuar Kombëtares Kosovare të Futbollit, pjesëmarrjen në miqësore me përfaqësueset e shteteve që kanë njohur Kosovën që në muajin maj, por pa përcaktuar modalitetet e zhvillimit të tyre.
Lejen për zhvillimin e miqësoreve ndërkombëtare ashtu si dhe Kosova e ka marrë dhe përfaqësuesja e Katalunjës, që në ndryshim nga Kosova nuk është një shtet më vete e me sovranitet të plotë.
Një tjetër nyje e rëndësishme që mbetet për t’u zgjidhur në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv do të jetë dhe ajo e rregullave që mund t’i lejojnë Federatës Kosovare të thërrasë me kombëtaren ata futbollistë që më parë kanë veshur fanellën e kombëtareve të tjera, si për shembull në rastin e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës e Valon Behramit që luajnë për Zvicrën, rregull që do të kishte të njëjtën vlerë edhe për futbollistët kosovarë që aktualisht janë pjesë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit.
ss
RREGULLI
Lejimi i Kosovës për të pasur një ekip përfaqësues me të drejta të plota do të lejojë lojtarët që luajnë nën flamujt e vendeve të tjera të ndërrojnë fanellë