Objektivi i qeverisë është të ulë deficitin buxhetor deri në zero më 2017


Presidenti François Hollande dhe qeveria e tij socialiste shpallën planin e vet për të rritur ndjeshëm taksat mbi të pasurit, me qëllim për të ulur deficitin buxhetor për vitin 2013. Synimi politik i Francës është të mbetet në listën e vendeve të shëndosha të Eurozonës krahas Gjermanisë e Holandës. Paketa fiskale e prezantuar synon të mbledhë 30 miliardë euro, përgjithësisht përmes rritjes së taksave, gjë që do të sjellë reduktimin e deficitit buxhetor në 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 4.5 për qind që është aktualisht. Ky është objektivi më i ashpër fiskal që Franca i ka imponuar vetes në 30 vitet e fundit.


Por papunësia rekord dhe një seri të dhënash ekonomike që flasin për stanjacion, i bëjnë analistët të mendojnë se objektivat e deficitit nuk do të realizohen për shkak se vitin e ardhshëm parashikohet që ekonomia të rritet me vetëm 0.8 për qind. Projektbuxheti i miratuar zhgënjeu lobistët që kërkonin reformë, pasi synon të ngrijë shpenzimet buxhetore pa kaluar në masa më ekstreme si në Spanjë, ku u shkurtuan shpenzimet për ministritë. Spanja po synon të shpëtojë nga nevoja për të kërkuar ndihmë të kushtëzuar nga bashkësia ndërkombëtare.


“Ky është një buxhet lufte për të kthyer vendin sërish në binarë”, deklaroi Kryeministri Jean-Marc Ayrault, duke shtuar se objektivi për rritje ekonomike në masën 0.8 për qind është njëkohësisht “realist dhe ambicioz”.


“Ky është një buxhet që synon të rikthejë besimin dhe të thyejë spiralen e borxhit që bëhet gjithnjë e më i madh”. Borxhi publik i Francës është në nivelin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore prej 91 për qind e PBB-së. Besueshmëria e Francës mes partnerëve europianë dhe tregjeve i lejon asaj për momentin të marrë para hua me interes shumë të ulët, prej vetëm 2 për qind. Interesat e bondeve dhjetëvjeçare mbetën 2.18 për qind pas njoftimit të buxhetit.


Plani final i qeverisë është të ulë deficitin buxhetor në 0.3 për qind të PBB-së brenda vitit 2017, një objektiv ky pak më i keq se sa synimi i mëparshëm për suficit buxhetor. Nga 30 miliardë eurot e kursyera, rreth 20 miliardë do të vijnë nga rritja e taksave mbi të pasurit.


Udhëheqësit e biznesit janë të pakënaqur me planin pasi besojnë se do të ketë një eksod të njerëzve më të talentuar. Parisi ka konfirmuar taksën e jashtëzakonshme prej 75 përqindësh për ata pak njerëz që kanë të ardhura më të mëdha se sa 1 milion euro në vit dhe 45 për qind për të ardhurat më të larta se 150 mijë euro në vit. Qeveria thotë se këto taksa do të jenë të përkohshme. Ata pritet të krijojnë të ardhura prej gjysmë miliard euro në vit. Bizneset do të detyrohen të paguajnë më shumë taksa në një skemë që redukton sasinë e interesave të kredive që njihen si shpenzime të zbritshme aktualisht. Kjo lëvizje do të sjellë 2 miliardë euro. Investitorët thonë se këto masa po pengojnë investimet dhe do të bllokojnë novacionet. “Franca është e sëmurë për shkak të modelit që ka zgjedhur, por ka vendosur ta mbajë këtë model”, deklaroi një biznesmen. Katër muaj pasi mposhti konkurrentin e vet Sarkozy, mbështetja për Presidentin Hollande është në rënie të lirë për shkak se shumë francezë besojnë se ka qenë tepër i ngadaltë në marrjen e masave kundër vështirësive ekonomike.