PAUL KRUGMAN, NYT


Kaq shumë për vetëkënaqësi. Vetëm pak ditë më parë, dituria konvencionale thoshte se Europa më në fund i vuri problemet nën kontroll. Banka Qendrore Europiane, duke premtuar se do të blejë bondet e qeverive në vështirësi nëse del e nevojshme, i ka bindur tregjet. Gjithçka që vendet debitore duhej të bënin, vijonte lajmi, qe që të pranonin për kursime financiare edhe më të thella – kusht ky për kreditë nga Banka Qendrore – dhe gjithçka do të shkonte mirë.


Por përçuesit e diturisë konvencionale harruan se këtu kishin punë edhe njerëzit. Papritur, Spanja dhe më pas Greqia, u përballën me greva dhe demonstrata të stërmëdha.


Publiku në këto vende është në fakt duke thënë se kufiri është arritur: me papunësinë në nivelin e Depresionit të Madh dhe me ata që dikur qenë punëtorë të shtresës së mesme dhe që tani kanë përfunduar të mbledhin ushqime nëpër kazanët e plehrave, masat e kursimit kanë shkuar sakaq tepër larg. Dhe e gjitha kjo do të thotë se të gjitha këto vuajtje nuk janë as një zgjidhje në fund.


Shumë komente sugjerojnë që qytetarët e Spanjës dhe Greqisë thjesht po shtyjnë për më vonë të pashmangshmen, duke protestuar kundër sakrificave që ata duhet në fakt t’i bëjnë domosdoshmërisht. Por protestuesit kanë të drejtë. Më shumë kursime nuk do të shërbejnë për asgjë të vlefshme; lojtarët me të vërtetë irracionalë këtu janë ata që teorikisht janë politikanët dhe zyrtarët që kërkojnë edhe më shumë dhimbje.


Shiko problemet e Spanjës. Cili është problemi ekonomik real? Në thelb Spanja po vuan nga dhimbja e krijuar nga një flluskë pronash që shpërtheu, e cila shkaktoi njëkohësisht bum ekonomik dhe një periudhë inflacioni, gjë që e la industrinë e Spanjës jokonkurruese me pjesën tjetër të Europës. Kur flluska shpërtheu, Spanja mbeti me problemin e vështirë të rifitimit të konkurrueshmërisë, një proces i dhimbshëm që kërkon shumë vite. Për sa kohë Spanja nuk është larguar nga euro – një hap që askush nuk dëshiron të ndërmerret – ajo është e dënuar me shumë vite me papunësi të lartë.


Por kjo vuajtje për të cilën thuhet se është e pashmangshme, po shtohet edhe më shumë nga shkurtimi i shpenzimeve; dhe këto shkurtime janë rasti i shkaktimit të dhimbjeve vetëm me synimin e shkaktimit të dhimbjeve.


Para së gjithash, Spanja nuk ra në vështirësi për shkak të shpenzimeve qeveritare të papërgjegjshme. Përkundrazi, në prag të krizës, Spanja kishte një suficit buxhetor dhe borxh të ulët. Deficiti u shfaq kur ekonomia ra, duke reduktuar edhe të ardhurat, por megjithatë, Spanja nuk duket se ka ndonjë borxh tepër të lartë edhe sot.


Është e vërtetë se Spanja ka më shumë probleme për të financuar deficitin e vet përmes huamarrjes. Por ky shqetësim është para së gjithash për shkak të frikës nga problemet më të mëdha të vendit, – nga frika e trazirave politike në kushtet e papunësisë tepër të lartë. Dhe nëse shkurton disa pikë në deficitin buxhetor nuk e largon këtë frikë. Në fakt, kërkime të kryera nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se shkurtimet buxhetore në ekonomitë në vështirësi mundet të reduktojnë besimin e investitorëve sepse përshpejtojnë ritmin e rënies ekonomike. Me fjalë të tjera, ekonomiksi i drejtpërdrejtë sugjeron që Spanja nuk ka nevojë për më shumë kursime. Në fakt, ajo nuk ka alternativë (të ndryshme nga largimi nga Eurozona) ndaj një periudhe të gjatë vështirësish ekonomike. Por shkurtimet barbare te shërbimet thelbësore publike, te ndihma për njerëzit në nevojë, në fakt e dëmtojnë perspektivën e vendit për një përmirësim të suksesshëm.


Pse atëherë ka shumë kërkesa për më shumë dhimbje?


Kjo shpjegohet pjesërisht me faktin se në Europë, ashtu si dhe Amerika, shumë pak njerëz seriozë janë pranuar nga kulti i shkurtimit të shpenzimeve, nga besimi se deficitet buxhetore dhe jo papunësia masive, janë shkaktarët kryesorë dhe rreziqe aktuale. Shkurtimet buxhetore arsyetohet, do ta zgjidhin këtë problem të krijuar pjesërisht nga ekseset e sektorit privat.


Përtej kësaj, një pjesë shumë e madhe e opinionit publik në vendet qendrore të Europës, në Gjermani – është shumë e angazhuar te këndvështrimi fals i situatës. Nëse flet me zyrtarët gjermanë, ata ta shpjegojnë krizën e euros si një çështje morali, përralla e vendeve që jetuan përtej mundësive të veta dhe që tani përballen me realitetin e pashmangshëm. Askush nuk e vret mendjen se kjo në fakt nuk ndodhi si dhe faktin tjetër që tregon se bankat gjermane luajtën rol të madh në inflacionimin e tregut të pronave të Spanjës. Mëkati dhe pasojat e mëkatit është ajo çfarë besojnë dhe vijojnë të këmbëngulin.


Akoma më keq, kjo është çfarë besojnë edhe votuesit e Gjermanisë, gjerësisht për shkak se është çfarë politikanët e tyre i kanë thënë. Frika se votuesit mund të hakmerren për shkak se besojnë pa të drejtë se po detyrohen të paguajnë papërgjegjshmërinë e jugorëve, i lë politikanët gjermanë pa vullnet për të miratuar kreditim emergjent për Spanjën dhe vendet e tjera në vështirësi, për sa kohë kredimarrësit nuk janë ndëshkuar në fillim. Natyrisht kjo nuk është mënyra se si paraqiten në publik këto kërkesa. Por është ajo çfarë ndodh me të vërtetë. Dhe koha tashmë ka kaluar për t’i dhënë fund kësaj sjelljeje të pakuptimtë dhe të pashpirt. Nëse Gjermania dëshiron me të vërtetë të shpëtojë euron, ajo duhet të lejojë Bankën Qendrore Europiane të bëjë çfarë është e nevojshme për të shpëtuar vendet debitore – dhe duhet ta bëjë këtë pa kërkuar dhimbje të pakuptimtë.