Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur firmosjen e memorandumit të Mirëkuptimit mes Shqipërisë-Greqisë-Italisë për gazsjellësin Trans-Adriatik. Zëdhënësja e kryeministrisë Erla Mëhilli ka nënvizuar se gazsjellësi Trans-Adriatik përbën njërin nga korridoret energjetike më të mëdha dhe strategjikisht më të rëndësishëm të kohës.


“Memorandumi i firmosur dje, nga tre vendet tona mike, përbën një mbështetje të rëndësishme politike, një garanci për suksesin e ndërtimit të tij të shpejtë dhe inkurajim real për një vendim pozitiv nga konsorciumi Shah Deniz 2, për përzgjedhjen e TAP si projekti më i mirë dhe fitues i garës”, ka thënë Mëhilli. Më tej ajo ka theksuar se Shqipëria, e cila ka kontributet e saj që në fillesat e këtij projektit gjigand është e vendosur të përmbushë me përgjegjësi të lartë dhe seriozitet, të gjitha detyrimet qe dalin nga një vendim përfundimtar eventual pozitiv i konsorciumit të Shah Deniz 2 për gazsjellësin Trans- Adriatik.


“Gazsjellësi Trans-Adriatik me 140 kilometrat që kalojnë nëpër territorin shqiptar sjell me vete mbi 2 miliard euro investime dhe krijimin e dhjetëra, mijëra vendeve të reja të punës. Ai bën të mundur gazifikimin e plotë të vendit duke plotësuar në mënyrën më të leverdishme, më ekonomike ngrohjen gatimin në çdo familje shqiptare dhe plotësuar nevojat në rritje të industrive tona për gaz. Shqipëria, si vend me depo të mëdha natyrale gazi do të ketë një pozicion shumë të rëndësishëm në shpërndarjen e tij në veri, por dhe mundësi të mëdha për fuqizimin e prodhimit dhe eksportit të energjisë në rajon”, ka përfunduar Mëhilli.


29 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)