Trupat e Kenias luftojnë për t’i dhënë fund kaosit në vendin afrikan
Forcat e Unionit Afrikan lëshuan një sulm të madh duke zbarkuar trupat e veta në një plazh për të marrë kontrollin e qytetit të Kismajos, një nga bazat më të rëndësishme të militantëve islamikë në këtë vend. Militantët Al-Shabab përdorin këtë port për të importuar armatime dhe për të eksportuar mallra. Por ky grupim deklaroi se nga sulmi nuk kishte pësuar humbje dhe se vijonte të kontrollonte qytetin. Sulmi është organizuar përgjithësisht nga ushtria e Kenias. Unioni Afrikan, një organizëm i ngjashëm me Bashkimin Europian për këtë kontinent, po përpiqet të ndihmojë qeverinë e Somalisë të vendosë kontrollin mbi të gjithë territorin e vendit. Zëdhënësi i ushtrisë së Kenias deklaroi se disa pjesë të qytetit qenë kapur dhe se pjesa tjetër do të kapet shpejt. Njoftohet se kjo ushtri dërgoi trupa me mjete amfibe për të zbarkuar në plazh. Zbarkimi në plazh u krye përgjatë rrugës drejt Mogadishut. Korrespondenti i BBC për Afrikën thotë se qyteti i Kismajos është veçanërisht i rëndësishëm për Al-Shahab, sepse është vendi i vetëm ku ata mbledhin taksa për të financuar armatimet e veta. Por militantët kontrollojnë edhe pjesën dërrmuese të zonave rurale të një vendi me 637 mijë kilometra katrorë.
Sulmi nisi nga marina e Kenias, e cila bombardoi qytetin para se të zbarkonte trupa në plazh. Disa banorë vendës deklaruan se kanë parë edhe ushtarë të bardhë mes trupave të Unionit Afrikan, por kombësia e këtyre trupave nuk dihet. Ka disa raporte se trupa speciale amerikane po ndihmojnë Unionin Afrikan, por vetë komanda amerikane për Afrikën deklaroi se nuk ka marrë pjesë në luftime. Qyteti i sulmuar ka rreth 80 mijë banorë dhe besohet se rreth 12 mijë prej tyre janë larguar.
Trupat e Unionit Afrikan pastruan kryeqytetin Mogadishu nga al-Shahab në gusht 2011 dhe deri më sot kanë arritur të kapin disa qytete të tjera të rëndësishme. Kenia ndërhyri në Somali një vit më parë pasi e pa të rrezikshme perspektivën që trupat e militantëve al-Shahab të përziheshin nga Somalia dhe të hynin në Kenia përmes një kufiri shumë të gjatë dhe të pakontrollueshëm. Somalia nuk ka njohur një qeverisje stabël që nga viti 1991 kur u rrëzua shteti i socializmit afrikan ndërtuar me ndihmën e Bashkimit Sovjetik.
Pjesa veriore e vendit është ndarë në një krahinë që kërkon pavarësinë dhe një krahinë tjetër që kërkon autonomi të gjerë.