Pritet të miratohet një afat i ri regjistrimi 


Edhe pse procesit të regjistrimit online iu shtuan edhe 24 orë më shumë, përtej afatit zyrtar, rezulton se numri i të rinjve që nuk e kanë plotësuar formularin është rreth 3200. Të paktën kështu pohojnë burime në Ministrinë e Arsimit, sipas të cilëve nuk ka ende një shifër zyrtare si për numrin e saktë të nxënësve që nuk janë regjistruar, ashtu edhe për ata që kanë bërë gabime gjatë aplikimit elektronik. E megjithatë, sipas tyre, aktualisht në Ministrinë e Arsimit është ngritur një grup pune, që po diskuton mundësinë e korrigjimit të gabimeve të bëra nga maturantët. Kjo do të thotë, që aktualisht po mendohet që kandidatët për student që kanë bërë gabime në regjistrimin online apo ata që nuk e kanë kryer këtë vendim, për arsye objektive do të fitojnë një mundësi të dytë për t’u regjistruar.


Specialistët e arsimit bëjnë me dije se, nëse vendoset që të rinjtë të kenë një shans të dytë për të mos humbur studimet e larta, mundësia e vetme është regjistrimi manual.


Sivjet, pas plotësimit të formularit A2 dhe shpalljes së fituesve të parë, do të ketë edhe një formular tjetër, ai A3, që do të përcaktojë fillimin e raundit të dytë. Sipas specialistëve të arsimit, në këtë fazë do të regjistrohen në universitete të gjithë të rinjtë mbetës.


Ata theksojnë se kandidatët që do të plotësojnë këtë dokument do të duhet të konkurrojnë vetëm për vendet e mbetura bosh, të cilat janë të shpërndara në fakultete të ndryshme të vendit. Formulari A3, edhe sivjet do të jetë i hartuar mbi bazën e degëve, ku numërohen më shumë vende vakante, me qëllim shmangien e degëve më të kërkuara dhe plotësimin e atyre ku kërkesat janë më të vogla. Sipas të dhënave të deritanishme nga MASH, mësohet se formulari A3 do të publikohet në mes të muajit tetor, ndërkohë që afati që do të kenë në dispozicion të rinjtë për plotësimin e tij do të jetë po aq i shkurtër sa ai i A2-shit, pasi edhe ai për herë të parë sivjet do të plotësohet online. Shpresa Mezini