Kujtimet e ish-kreut të OKB-së
Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, thotë në kujtimet e tij, se ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair, mund ta kishte ndalur luftën në Irak, por nuk e bëri, duke zhgënjyer shumë prej simpatizantëve të tij. Annan thotë se ai vetë ishte një nga simpatizantët e Blair deri në ditën kur ky i fundit u bashkua me Bush për të hyrë në një luftë që shumë vetë e konsiderojnë si luftë të paligjshme dhe për të cilën është kërkuar shpesh që Blair të përndiqet penalisht.
Annan shkroi kujtimet e veta dhe gjatë ditëve të fundit, dha intervista mbi kujtimet që do të publikohen së shpejti. Ai thotë se nuk mund të aludohet se çfarë do të kishte ndodhur në rast se Blair refuzonte kërkesën e Bush për të hyrë në luftë. Annan thotë se dorëheqja e tij si sekretari i OKB-së nuk do të kishte ndihmuar në parandalimin e luftës, ndërkohë që Blair mund të kishte bërë diferencën.
Lufta kundër Irakut u organizua me justifikimin se Sadam Hussein dispononte armë të shkatërrimit në masë, por më vonë, nuk u gjetën fakte për ekzistencën e këtyre armëve dhe se disa fakte të deklaruara nga Blair dhe Bush qenë false. Pushtimi i Irakut hapi një luftë që vijoi për tetë vjet dhe la mbi 100 mijë të vdekur.
“Ky nuk ishte Blair me të cilin unë isha tërësisht dakord mbi nevojën morale për ndërhyrjen humanitare për të ndalur sulmet serbe mbi shqiptarët e Kosovës më 1999-n… Diçka pati ndryshuar te Blair dhe bashkë me të, pati ikur aftësia e tij për të vepruar si një ndërmjetësues i besueshëm”, tha Annan.