Turistë nga Shqipëria, Kosova e Suedia preferojnë detin Adriatik këtë fundshtator
Temperaturat e larta të këtij fundshtatori kanë kthyer njerëzit në plazhe. Dje, termometri ka regjistruar 35 gradë Celsius në plazhin e Durrësit në mesditë. Fëmijë, të rinj, burra, gra dhe të moshuar, të të gjitha moshave, u janë drejtuar plazheve të Durrësit dhe Gjirit të Lalëzit për të pushuar këtë fundjavë. Pushues nga Tirana, Durrësi, Prishtina, si dhe nga vende të ftohta europiane, po përfitojnë nga ditët plot diell për të pushuar buzë plazheve të Adriatikut, që në këtë stinë vjeshte ofrojnë edhe më shumë qetësi. “Është hera e parë që vij në Shqipëri. U bë një javë këtu dhe koha është fantastike. Po më pëlqen shumë dhe do të kthehem sërish. Unë vij nga Suedia bashkë me familjen dhe në zonën ku jetojmë ne është ftohtë. Ka shumë pak diell atje. Po i shijojmë shumë këto ditë pushimesh. Plazhi është i qetë dhe i pastër, ndërsa uji është i ngrohtë”, thotë një grua e kënaqur nga koha dhe pushimet që po kalon në plazhin e madh të Durrësit. “Edhe pse plazhi është i mbushur me pushues dhe ka shumë gjallëri, më pëlqen se njerëzit nuk janë të zhurmshëm si në verë dhe mungon moria e ambulantëve që të shqetësojnë me thirrjet e tyre teksa reklamojnë produktet që tregtojnë”, shprehet një tjetër pushuese, rreth të 40-ave. Zonja është nga Tirana dhe thotë se familjarisht muajt e vjeshtës janë edhe më të pëlqyerit për të bërë plazh. Janë të shumtë pushuesit e ardhur nga zona të ndryshme të Kosovës, por kryesisht nga Prishtina, si dhe emigrantët e vonuar që i kanë nisur pushimet atëherë kur të tjerët u janë kthyer vendeve të punës. Ata janë kthyer në frekuentues të rregullt të plazhit të Durrësit, duke shfrytëzuar diellin dhe ujërat e ngrohta të Adriatikut. Përveç grupeve rinore dhe të moshuarve, që të organizuar mbërrijnë në Durrës për disa ditë pushime, që konsistojnë më shumë në shëtitje nëpër qytetet kryesore të vendit, ndërsa akomodohen në plazhin e Durrësit, të tjerë, kryesisht familjarë dhe grupe shoqërore, po kalojnë pushime të plota në plazh. Sipas Blerimit nga Gjilani, plazhi ofron më shumë qetësi në këtë muaj dhe pushimet janë një mrekulli, larg temperaturave përvëluese të verës dhe zhurmës së dhjetëra e mijëra njerëzve që mbushin rërën dhe detin gjatë sezonit turistik. Një fllad i lehtë dhe vjeshta i zbut temperaturat e larta, ndonëse në mesditë dielli djeg në bregdet. Edhe amatorët e peshkimit po shijojnë kënaqësinë e të dalit në det të hapur për të hedhur rrjetat, ndërsa peshkatarë të tjerë që kthehen me rrjeta të mbledhura e bosh tregojnë: “Nuk është sezon peshku, por është bukur t’i hedhësh rrjetat e të qëndrosh në pritje. Plazhi mbart magjinë e tij në vjeshtë”.
Trafiku
Rrugët nacionale që të çojnë në këto plazhe kanë qenë të ngarkuara dhe të mbikëqyrura nga shërbime të policisë rrugore. Në aksin rrugor Ura e Dajlanit-Golem, trafiku është paraqitur disi i rënduar, jo vetëm për shkak të lëvizjes së njerëzve drejt bregdetit, por edhe të punimeve që po kryhen në rrugë, në një pjesë të këtij aksi, për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza që do të çlirojë Adriatikun nga ndotja. Vali Qyrfyçi
Moti
Tetor, temperaturat ulen me 5 gradë
Edhe këtë fundjavë mund ta shfrytëzoni motin e ngrohtë, por jo për plazh. Pavarësisht temperaturave të larta për stinën e vjeshtës, 30 dhe 32 gradë, sot ato do të alternohen me pak vranësira. Meteorologët sqarojnë se pothuajse në të gjithë vendin moti do të jetë i paqëndrueshëm, ndërsa pasditen e së martës do të ketë rikthim të reshjeve të shiut. E megjithatë, sipas parashikimeve, shtatori do të mbyllet i ngrohtë. Tetori pritet të sjellë temperaturat tipike të vjeshtës.
“Në ditët e para të tetorit, temperaturat do të ulen me 5 gradë Celsius, duke sjellë freskim të motit, por edhe paqëndrueshmëri. Megjithatë, fillimi i vjeshtës padyshim mund të cilësohet si një nga më të ngrohtët e viteve të fundit”, theksojnë sinoptikanët.