Fisnik Matoshi goditi me automjet Ramadan Qerimajn dhe më pas e hodhi në rrugë
Prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje ndaj një 29-vjeçarit, i cili aksidentoi për vdekje një person dhe më pas e braktisi në anë të rrugës, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Fisnik Matoshi, në datën 11 prill të vitit të kaluar, ka aksidentuar për vdekje Ramadan Qerimajn. Nga pyetja e personave ka rezultuar se ditën që ka ndodhur aksidenti ka qenë një ditë me shi. Kanë hipur në furgonin tip “Mercedez Benz”, ngjyrë jeshile të drejtuar nga shtetasi Fisnik Matoshi, nga Kamza në drejtim të Tiranës. Sapo kanë kaluar firmën “Shkodra Beton”, poshtë mbikalimit të Kamzës, shoferit i ka dalë përpara një person që i ka prerë rrugën dhe është përplasur me mjetin, i cili e ka hedhur rreth 7-8 metra në krahun tjetër të asfaltit. Fisniku ka ndaluar menjëherë, por nuk ka zbritur vetë nga furgoni. Të dëmtuarin, i cili ka qenë pa ndjenja në tokë, e kanë marrë pasagjerët dhe e kanë hipur në furgon. Sapo kanë bërë rrethrrotullimin e doganës, Fisniku ka marrë drejtimin për në rrugën “Josif Pashko” dhe pasagjerët, të çuditur, i kanë thënë se ku po i çonte, pasi duhet të çonin të aksidentuarin në spital. Ai ka vazhduar rrugën dhe pasagjerët i kanë thënë të ndalonte, ai ka ndaluar dhe ata të trembur kanë zbritur nga furgoni, duke lënë personin e aksidentuar brenda bashkë me Fisnikun. Në pyetje janë marrë vajzat e viktimës, të cilat kanë marrë vesh se “e kishte vrarë shtetasi Fisnik Matoshi”. Ato shpjegojnë se vazhdimisht, bashkë me motrat e tjera, i kanë kërkuar vëllait të tyre, Valmirit, që t’u shpjegonte rrethanat e ngjarjes, por ai nuk u ka treguar gjë, duke u thënë se do të merrej vetë me atë punë. Në pyetje është marrë i hetuari, i cili pranon se ka aksidentuar për vdekje një shtetas. Ai e ka njohur viktimën, për shkak të shoqërisë me të birin. E ka marrë në telefon dhe të dy së bashku kanë shkuar në Spitalin Ushtarak, ku kanë kontaktuar me një mjek që u ka thënë se Ramadanin do ta fusnin në sallë. Pas disa ekzaminimesh, ku Ramadanit i bënin frymëmarrje me oksigjen, e futën përsëri në sallë. Pas ca kohësh, doktori u ka thënë që ai kishte vdekur. Ai i ka treguar shokut të tij, Valmirit, se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dhe se babanë ia kishte aksidentuar ai në mënyrë aksidentale. Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Adriano Dyrmishi, ka rezultuar se “fillimisht i pandehuri ka konsumuar veprën penale të ‘shkeljes se rregullave të qarkullimit rrugor’, ku si pasojë është dëmtuar viktima. I pandehuri në këto kushte, i ndërgjegjshëm për pasojat e veprimeve të tij dhe për të shmangur një përgjegjësie eventuale penale, ka braktisur viktimën, si pasojë e së cilës nga mosdhënia e ndihmës së menjëhershme ai ka humbur jetën. I pandehuri nuk e ka dëshiruar pasojën kriminale, pasi qëllimi i tij nuk ka qenë vrasja e viktimës, por thjesht humbja e gjurmëve dhe moszbulimi i veprës së tij të parë, por me ndërgjegje ka lejuar ardhjen e saj, duke qenë se e parashikonte dhe duhej ta parashikonte pasojën e pritshme të veprimeve të tij (braktisjen e viktimës ku nuk kishte mundësi të merrte ndihmën e nevojshme) dhe pasojën e mundshme dhe të këtyre veprimeve (vdekjen eventuale). Qëllimi parësor i tij ka qenë shmangia e përgjegjësisë së tij”.