Bashkimi Europian vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për integrimin, por vendet që aspirojnë për anëtarësim duhet të përmbushin kriteret e BE-së në mënyrë që të pranohen, deklaroi komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle.


“Ritmi me të cilin secili vend përparon drejt anëtarësimit në BE varet nga përmbushja e kritereve dhe kushteve të përcaktuara. Kroacia është një shembull i mirë dhe duhet të shërbejë si një nxitje: ajo tregon se çfarë mund të arrihet kur ndiqen dhe zbatohen reformat e nevojshme”, – tha Fyle në një intervistë në agjencinë SETimes.


Duke folur për vende të rajonit si Kroacia, e cila pritet të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së në korrik të vitit 2013, Mali i Zi filloi negociatat për anëtarësim në qershor, ndërsa Shqipëria është duke u përpjekur për të përmbushur prioritetet kyçe për një status të kandidatit për anëtarësim, File u shpreh se në rastin e Serbisë, marrëdhëniet pozitive me fqinjët janë një parakusht që ajo të anëtarësohet në BE.


“BE-ja dëshiron që Serbia të ndërmarrë hapa drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën”, – tha Fyle, duke shtuar se një hap i tillë është plotësisht në respekt me parimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal.


“Një raund i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të fillojnë, por format, koha dhe qëllimi i dialogut janë ende nën diskutim mes Prishtinës dhe Beogradit. Ne do të duam që dialogu të çojë në një përmirësim cilësor, të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, e thënë shkurt, normalizim. Kjo do të thotë se të gjitha çështjet e pazgjidhura do të duhet të diskutohen”, – tha Fule.


30 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)