Specialët: Na pengoi në operacion. Curri: Më qëlluan me shkop gome dhe me qytë pistolete
Shoferi i autobusit të linjës së Kamzës, Martin Curri, që u përplas me disa policë specialë, rrëfen se është goditur me shkop gome dhe qytë pistolete, ndërsa ka rënë pa ndjenja. Para grupit hetimor, Curri, që është marrë nën hetim për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pohon se është kërcënuar dhe sharë në sytë e të gjithë udhëtarëve që janë tmerruar nga veprimet e punonjësve të policisë të veshur civilë, tashmë edhe ata persona nën hetim. Ndërkohë, policët specialë kanë një tjetër version për ngjarje, duke treguar se shoferi i autobusit i ka penguar në një operacion që ishin në vazhdim e sipër. Ergys Hoxha dhe Genci Kongjoni kanë shpjeguar se Curri ka vepruar me vetëdije, duke goditur automjetin e tyre.
Dëshmia e 63-vjeçarit
Ai ka pohuar se ka qenë në autobus, ku një person është futur tepër i irrituar nga dera e parë. Ka pyetur disa persona se kush ishte shoferi dhe dikush i është drejtuar me gisht te Curri. Personi që ishte veshur civil i tha se i kishte gërvishtur makinën, të cilën e kishte parkuar ngjitur me autobusin dhe drejtoi dorën për tek automjeti tip BMË. I njëjti person ka vijuar me fyerje e sharje të rënda ndaj 63-vjeçarit dhe pas një çasti ka nxjerrë shkopin e gomës duke e goditur. Ai ka dalë nga autobusi dhe u ka treguar shokëve se ishte qëlluar nga shoferi.
Më pas, katër punonjësit e policisë të veshur civilë kanë filluar të ushtrojnë dhunë kundër shoferit, madje edhe me sende të forta, ndërsa njëri prej tyre ka mbushur pistoletën dhe ia ka drejtuar, ndërsa nuk e qëlluar me armë zjarri.
Burime nga policia pohojnë se Curri është dërguar në spital, në momentin që në vendngjarje ka mbërritur një furgon policie dhe pas ekzaminimit mjekësor ka rezultuar se shoferi ka pasur hemorragji në mushkëri.
Procedimet penale
Sherri masiv ka dërguar për ndjekje penale dy oficerët e policisë, por edhe shoferin. Burimet policore thanë se Komisariati Nr. 3, pas konfliktit për gërvishtjen e makinës, ka filluar procedimin penal në ngarkim të dy punonjësve të policisë, si dhe të shoferit të linjës Kamzë-Tiranë, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin me mjete të forta, në Rrugën e Durrësit, pranë ish-kafe “Flora”. Kështu do të procedohen penalisht Ergys Hoxha, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, dhe Genci Kongjoni, 32 vjeç, lindur në Ersekë, banues në Tiranë, të dy me detyrë punonjës policie pranë njësisë operacionale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës. Gjithashtu, për ndjekje penale u dërgua edhe Martin Curri, 63 vjeç, banues në Kamzë, me detyrë shofer autobusi. Sherri masiv ndodhi dy ditë më parë në qendër të kryeqytetit në mesditë, konflikt i cili ka tronditur edhe qytetarët e pranishëm. Sipas të dhënave, dy efektivët ishin në një operacion për kapjen e një personi në kërkim, por tentativa e tyre është kthyer në një përleshje. Nga të dhënat u mësua se njësia operacionale i kishte bërë shenjë ndalimi autobusit të një firme pijesh freskuese me targë TR 3270 F në Rrugën e Durrësit, por nuk ka ndaluar dhe ka gërvishtur makinën e kësaj njësie. Sapo ka mbërritur te stacioni i autobusëve të Kamzës, shoferi ka braktisur mjetin bashkë me një person tjetër, i cili është futur menjëherë në një autobus të transportit urban, person i cili, sipas policisë, ishte objektivi për t’u ndaluar.
Hetimet
Kështu do të procedohen penalisht Ergys Hoxha dhe Genci Kongjoni, të dy me detyrë punonjës policie pranë Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës. Gjithashtu, për ndjekje penale u dërgua edhe Martin Curri
Të dhëna
Konflikti
Një person ka vijuar me fyerje e sharje të rënda ndaj 63-vjeçarit dhe pas një çasti ka nxjerrë shkopin e gomës duke e goditur. Ai ka dalë nga autobusi dhe u ka treguar shokëve se ishte qëlluar nga shoferi
Rrahja
Më pas, katër punonjësit e policisë, të veshur civilë, kanë filluar të ushtrojnë dhunë kundër shoferit, madje edhe me sende të forta, ndërsa njëri prej tyre ka mbushur pistoletën dhe ia ka drejtuar, por nuk e qëlluar