Jutta Benzenberg, bashkëshortja e publicistit Ardian Klosi, i vetëvrarë më 26 prill të këtij viti, ka fituar trashëgiminë dhe pasurinë e publicistit. Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e ish-bashkëshortes së publicistit dhe tashmë e gjithë pasuria e Klosit do t’i kalojë asaj. Ndërkohë, gjykata pranoi edhe kërkesën për kalimin e trashëgimisë publicistike në favor të Jutta-s. Gjyqtarit Bledar Abdullai iu deshën dy seanca që të pranonte kërkesën e ish-bashkëshortes të depozituar në datën 6 shtator me objektin “për lëshim të dëshmisë së trashëgimisë ligjore për trashëgimlënësin Ardian Klosi”. Mësohet se një akt i tillë ndërmerret kur personi në fjalë nuk ka lënë një testament. Përveç pasurive të patundshme, si vila ku jetonte, Benzenberg do të marrë trashëgim edhe të drejtat e autorit për botimet dhe përkthimet që realizoi.