Policia u rekomandon viktimave të krimit të kërkojnë “mbrojtjen” e Agimit të Artë


Partia e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë në Greqi, po merr gjithnjë e më shumë rolin e oficerëve të zbatimit të ligjit nëpër rrugët e këtij vendi të falimentuar dhe prova të shumta po dalin në sipërfaqe, duke treguar se oficerët e policisë kanë filluar t’u rekomandojnë qytetarëve të kërkojnë ndihmë nga ky grupim neonazist, në rast se bien viktimë e një krimi. Lajmi bëhet i ditur nga “The Guardian”.


Për rrjedhojë, një numër i madh grekësh po e sheh këtë parti si “mbrojtëse”. Partia mban në flamujt e vet një simbol dukshëm të ngjashëm me svastikën naziste.


Një nga viktimat e krimit, një punonjës shteti me arsim në SHBA, i tha gazetës “The Guardian” se sa u trondit kur pa se policia i këshilloi të drejtohej te partia, pasi e ëma e saj kishte shkuar për të denoncuar një incident ku ishte përzier një emigrant shqiptar.


“Ata thanë menjëherë se nëse bëhet fjalë për një problem të krijuar nga emigrantët, shko tek Agimi i Artë”, thotë 38-vjeçarja që nuk e jep emrin, për shkak të frikës se mund të humbasë vendin e punës.


“Ne nuk e mbështesim Agimin e Artë, por aktualisht ka një problem akut shoqëror dhe ka rënie të ndjenjës së sigurisë mes klasës së ulët e të mesme në qytete”, thotë ajo. “Nëse policia dhe mekanizmat zyrtarë nuk mund të ofrojnë siguri, atëherë ndonjë zgjidhje rebele do të gjendet.”


Edhe shumë grekë të tjerë kanë pasur eksperienca të tilla. Agimi i Artë ka arritur të hyjë në Parlamentin e Greqisë përmes gjuhës së urrejtjes kundër emigrantëve dhe tashmë kanë marrë rolin e organizuesit të shtetit e të shërbimeve publike. “Natyra i urren vakumet dhe Agimi i Artë thjesht sa po mbush vakumin e lënë nga partitë e tjera”, thotë një grua. “Kjo parti po u jep njerëzve të vegjël ndjenjën se mund të mbijetojnë dhe se janë të sigurt në shtëpitë e tyre.”


Sulmet raciste në Greqi janë shtuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, që kur kjo parti hyri në Parlament. Ekspertët janë të shqetësuar, për faktin se votuesit e kësaj partie janë në shumicë njerëz nga ushtria dhe policia, gjë që rrit rrezikun e një grushti shteti, nga ato që Greqia ka parë me shumicë në historinë e saj.


“Për njerëzit në lagjet e varfra ne jemi çlirimtarë”, thotë Jianis Lagos, një nga 18 deputetët e kësaj partie. “Shteti nuk bën asgjë”, tha ai në një emision televiziv, duke shtuar se Agimi i Artë është e vetmja parti që po ndihmon popullin në kushtet e papunësisë më të lartë e varfërisë më të thellë në shumë kohë. Partia ka nisur një program të gjerë dhe të kushtueshëm social, ku përfshihet kujdesi për të moshuarit në zonat e prekura nga krimi dhe shpërndarjen e ushqimeve e rrobave për njerëzit në nevojë. Por ndihma nga kjo parti shoqërohet me një çmim, i cili është besnikëria ndaj tyre.


“Një mikesha ime po keqtrajtohej nga bashkëshorti i saj dhe policia ia referoi rastin partisë, e cila e ndihmoi, por në fund, ajo e gjeti veten duke dhënë vazhdimisht veshje dhe ushqime”, thotë një mësuese greke, e cila gjithashtu nuk e jep emrin. Diskutimet në anonimitet tregojnë frikën në rritje mes këtij populli. Por kjo strategji po jep rezultate për këtë parti. Mbështetja që ajo gëzon mes grekëve është në rritje. Vrojtimi i fundit tregoi se rreth 22 për qind e popullatës kishte mendim pozitiv për kreun e partisë, Nikos Michaloliakos.


Një analist vendas politik thotë se rritja e popullaritetit të kësaj partie është më shumë rrjedhojë e lidhjeve të shumëfishta me policinë. “Grekët nuk janë bërë ekstremistë brenda natës”, thotë ai. “Pjesa dërrmuese e mbështetjes vjen nga policia, veçanërisht nga rekrutët e rinj, që janë apolitikë dhe nuk dinë asgjë nga nazizmi apo Hitleri”.


Duke kapur rastin, kjo parti ka filluar të hapë degë mes diasporës së fuqishme greke. Një zyrë u hap në Nju Jork, të tjera janë duke u hapur në Australi dhe Kanada. Ndërsa grekët po bëhen gjithnjë e më shumë radikalë, partia konservatore në qeveri po punon fort për të ndaluar emigracionin, duke burgosur mijëra ilegalë nëpër kampe. Por puna e tyre nuk ka kaluar tërësisht pa rezistencë. Javën e kaluar, ata deklaruan se do të sulmonin tregtarët e vegjël që po merrnin pjesë në një panair në Arta. Athina dërgoi forca shtesë policore kur pa se grupimet e së majtës u përgatitën për një përplasje me militantët e Agimit të Artë. Tani frika është për përplasje masive mes të majtës anarkiste dhe të djathtës ekstreme.


Duke qëndruar e ulur në zyrën e saj poshtë Akropolisit, Ana Diamantopulu, një ish-komisionere e Bashkimit Europian, flet e tronditur. Dëshpërimi, thotë ajo, e ka sjellë Greqinë në një pikë të rrezikshme. “Nuk e pata menduar kurrë se një gjë si Agimi i Artë do të vinte këtu, se grekët do të votonin për njerëz të tillë. Politika e dhënies së ushqimeve vetëm për grekët është tmerruese. Kjo është një parti e bazuar tek urrejtja e ‘tjetrit’. Për momentin ‘tjetri’ janë emigrantët, po nesër, kush do të jetë?”