Policia heton pronarin grek, falimentoi aktivitetin


Korçë – Një tjetër firmë e konfeksioneve në qytetin e Korçës ka kyçur dyert e saj si pasojë e falimentimit, por një grup punëtorësh të saj i janë drejtuar policisë lokale me denoncim për pronarët, një prej të cilëve investitor grek. Nga ana e Policisë Rajonale të Korçës, u bë e ditur se afro 12 punëtorë të një firme private të rrobaqepësisë “Europlex” me aktivitet në qytetin e Korçës, kanë bërë kallëzim për ndjekje penale ndaj dy pronarëve të kësaj firme për mospagesë të pagave. “Nga sektori i antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Korçës, ka filluar një procedim penal i bazuar në kallëzimin që 12 punëtorë të firmës ‘Europlex’ kanë bërë ndaj dy pronarëve të kësaj firme”, sqaruan burime zyrtare të kësaj policie. Në procedim penal janë vënë shtetasit A. Juxhin 42 vjeç me banim në Korçë dhe shtetasi grek A. Vasilis, që të dy bashkëpronarë të firmës “Europlex”. Punëtorët që kanë bërë kallëzimin e tyre në polici, kanë dëshmuar se nuk janë paguar gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, për një shumë prej 16 mijë lekësh të reja në muaj secili. Policia, nga ana e saj, ka filluar hetimet, duke e konsideruar këtë mospagesë të punonjësve të firmës private si mashtrim, dhe ka kërkuar që çështja t’i kalojë edhe Prokurorisë së Rrethit. Sipas verifikimeve të para nga antikrimi ekonomik, firma private e konfeksioneve ka mbyllur aktivitetin e saj dhe mund të ketë falimentuar, pasi prodhimet e saj ishin të destinuara për tregun grek. Ndërsa një prej bashkëpronarëve, 42-vjeçari A. Juxhin, me banim në qytetin e Korçës, është ai që pritet të merret së pari në hetim nga policia, ndërsa shtetasi grek që ka qenë investitor në firmën e rrobaqepësisë nuk gjendet dhe dyshohet se është larguar në Greqi. Mbyllja e kësaj firme private të konfeksioneve nuk është rasti i parë që regjistrohet në qytetin e Korçës, pasi aktiviteti i biznesit të konfeksioneve, kryesisht me sipërmarrës grekë, ka qenë një gangrenë sociale për qindra e qindra gra të këtij qyteti që janë punësuar në këtë sektor privat dhe jo vetëm janë paguar shumë pak, por u janë mbajtur pagat, ndërsa firmat kanë mbyllur dyert e tyre, duke rifilluar aktivitetin nën një emër të ri, por që nuk janë ndëshkuar asnjëherë për abuzimet e tyre. G.Ashimi